Vetëm 11.3% e kompanive i kanë këshillat e sigurisë në punë!

Hënë, 18 June 2018 09:04

Elvira, një 38-vjeçare që jeton në Tiranë është e punësuar në sektorin e fasonerisë. “Kam 9 vite që punoj në rrobaqepësi. Te firma që jam tani punoj prej 3 vitesh”, tregon ajo. Megjithatë, ajo është pak e njohur mbi të drejtat e saj në vendin e punës e aq më tepër mbi ekzistencën e një këshilli të sigurisë dhe shëndetit në punë, ku mund të shprehë shqetësimet dhe rreziqet e mundshme gjatë ushtrimit të detyrave të saj. “Nuk kam dëgjuar ndonjëherë për këtë gjë dhe s’na ka mbledhur kush të na e shpjegojë”, shprehet e punësuara në kompaninë, që operon në zonën e Porcelanit. Por, kompania ku është e punësuar Elvira nuk është e vetmja që nuk e ka një organ të tillë, i cili është i detyrueshëm me ligj për t’u ngritur.

Sipas të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, deri në fund të vitit 2017 rezulton se janë 860 subjekte që kanë këshill të sigurisë dhe shëndetit në punë. Kjo shifër ka pësuar një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin 2013, ku rezultonte se KSSHP-të ishin të ngritur në 397 subjekte. Megjithatë, ajo është shumë larg në krahasim me numrin e ndërmarrjeve të regjistruara në vend. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga Instituti i Statistikave, në total në Shqipëri operojnë 5902 kompani me 10-49 punonjës dhe 1690 kompani me mbi 50 të punësuar. Praktikisht, referuar këtyre të dhënave  nga 7592 kompani, vetëm 860 subjekte e kanë këtë këshill apo thënë ndryshe rreth 11.3% e tyre.
Legjislacioni
Sipas ligjit “Për sigurinë dhe shëndetin në punë” nëpër ndërmarrje duhet të ngrihet këshilli i sigurisë dhe shëndetit në punë, i cili ka si mision të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor dhe të sigurisë së punëmarrësve, si dhe në përmirësimin e kushteve të punës. Ky këshill është organ partneriteti këshillues me përfaqësues të punëdhënësve dhe të punëmarrësve, të përfaqësuar në mënyrë të barabartë, i cili ka si qëllim këshillimin e rregullt dhe periodik të veprimtarisë së ndërmarrjes, për parandalimin e rreziqeve në punë. Kompetencat e këtij këshilli  lidhen me pjesëmarrjen në vlerësimin, hartimin dhe vënien në jetë të programeve të parandalimit të rreziqeve në ndërmarrje si dhe në nxitjen e nismave për mënyrat dhe procedurat për parandalimin efektiv të rreziqeve, duke i propozuar ndërmarrjes përmirësimin e kushteve dhe mënjanimin e rreziqeve. Ndërkohë që, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë propozimet e bëra nga këshilli i sigurisë dhe shëndetit në punë, duke bashkëpunuar me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Inspektoratin Sanitar Shtetëror.
“Këshillat e sigurisë në punë janë të rëndësishëm sepse janë instrumentet ligjore që merren me parandalimin e çdo rasti potencial rreziku në vendin e punës. Edhe pse ligji parashikon që ato janë organe konsultative, nëse aty konstatohet një situatë jo e mirë për punonjësit, KSSHP-të  këshillojnë punëdhënësin që ta korrigjojë këtë situatë. Ky rekomandim, që jepet nga këshilli është i detyrueshëm të zbatohet nga punëdhënësi. Pra, nëse ka një situatë të rrezikshme, këto këshilla janë të vetmet që mund ta konstatojnë këtë situatë dhe t’i rekomandojnë punëdhënësit rregullimin e saj”, shpjegon Edison Hoxha, ekspert ligjor pranë Qendrës për të Drejtat në Punë.
Nëse ka një rekomandim që është dhënë nga këshilli i sigurisë dhe ai nuk është zbatuar nga punëdhënësi, atëhere Inspektorati i Punës e konstaton dhe merr masa administrative ndaj punëdhënësit.
Funksionimi
Por, fakti që në një numër kompanish janë ngritur këshillat e sigurisë dhe shëndetit në punë nuk garanton rolin e tyre. Problemi më i madh sipas ekspertëve mbetet funksionimi i tyre, pasi rezulton se pjesa dërrmuese e këtyre këshillave, janë të ngritur vetëm në letër. “Ka ndërmarrje, që i kanë zgjedhur këshillat, por që figurojnë thjesht në letër dhe nuk kanë aktivitet në përputhje me ligjin për t’u mbedhur nga ana e punëdhënësit për konstatimin e të metave të sigurimit teknik dhe problemet në drejtim të ligjit”, shprehet Gëzim Kalaja, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Edhe sipas Hoxhës, në kompanitë e mëdha, që janë edhe më në qendër të vëmendjes, KSSHP-të rezultojnë të formuar thjesht në mënyrë formale. “Nga kontaktet që ne kemi patur me punonjësit, pothuajse në të gjitha rastet vetë punonjësit nuk kanë patur fare informacion mbi këshillat e sigurisë dhe se çfarë roli kanë ata. Kjo do të thotë se ato janë të ngritur formalisht nga punëdhënësi, duke marrë disa punonjës dhe madje shumë persona që rezultojnë të jenë pjesë e tyre nuk kuptojnë rolin e vërtetë të këtyre këshillave. Kur kemi folur me punëdhënësit, ata kanë pohuar se i kanë ngritur këto këshilla të detyruar nga Inspektorati Shtetëror i Punës, sepse duke qenë detyrim ligjor në çdo kontroll inspektorati i kontrollonte nëse ishin ngritur apo jo”, shton ai.
Sipas kreut të BSPSH-së, një aspekt negativ në këtë rast ka krijuar edhe eliminimi i Ministrisë së Punës, që nuk ekziston më, por është shpërndarë te Ministria e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë.
“Për mendimin tim të dyja strukturat nuk mund të bëjnë punën që bënte në atë kohë kur ishte në funksion Ministria e Punës, me gjithë departamentet, qoftë edhe me departamentin e Sigurimit Teknik dhe Shëndetit në Punë, që e kishte primar zbatimin e këtij ligji. Me eliminimin e Ministrisë së Punës mendoj që do të ketë anomali më të mëdha, qoftë në marrëdhënie me sindikatat, sepse ajo koordinonte punën midis sindikatave dhe ekzekutivit shqiptar dhe për probleme të tjera, por jam i bindur që do të ketë probleme edhe me zbatimin e këtij ligji,” shprehet Kalaja.
Ngërçi sipas ekspertit të Qendrës së të Drejtave në Punë, qëndron edhe te kontrollet e ushtruara nga Inspektorati Shtetëror i Punës, të cilët fokusohen vetëm te fakti nëse KSSHP-të janë ngritur apo jo. “Nga kontaktet që kemi patur me Inspektoratin, nga përfaqësues që janë marrë me këto çështje, na është thënë se ‘gjatë kontrolleve, me dokumentet kanë rezultuar në rregull’. Megjithatë ky është një justifikim që nuk qëndron, pasi inspektorati nuk mund të kontrollojë vetëm pjesën formale, por duhet të kontrollojë dhe vazhdimësinë sepse ka detyrime ligjore që këshillat duhet të mblidhen herë pas here, në mënyrë periodike”, shprehet Hoxha.
Kritika ndaj ISHPSHSH-së ka edhe kreu i sindikalistëve. “Mendoj që në kohën kur ky dikaster ishte në varësi të Ministrisë së Punës ishte në lartësi të detyrës, por puna erdhi dalëngadalë duke u sfumuar. Kjo ka të bëjë edhe me çështjen e marrëdhënieve dhe kontrolleve që bënte ky inspektorat dhe administratorëve të ndërmarrjeve, për të cilët ne nuk mund t’i nxjerrim të “pastër” në këtë drejtim. Ka patur shumë raste  kur ISHPSHSH ka zhvilluar kontrolle dhe pas ikjes së inspektoratit, kanë ndodhur aksidente, që tregojnë se ISHPSHSH nuk ka bërë realisht kontrolle, ashtu siç duhet, në zbatim të ligjit,” shprehet Kalaja.
Fakti që shumë prej këshillave të sigurisë dhe shëndetit në punë rezultojnë vetëm formalisht nëpër kompani pranohet edhe nga vetë kryeinspektori i ISHPSHSH-së, Dritan Ylli i cili ka mbajtur këtë pozicion deri në dhjetor të vitit 2017. “Është e vërtetë që shumë këshilla janë fiktivë”, shprehet Ylli. “Deri në vitin 2013 ishin të pakta ndërmarrjet që kishin këshill sepse nuk merrej askush me këtë koncept. Pas 2013-ës, ka patur një rritje progresive të ngritjes së tyre dhe më pas verifikimit të funksionimit real të tyre. Ne nuk kemi qenë fare të kënaqur për funksionimin e tyre sepse çdo ndërmarrje, sidomos ato që kanë një numër relativisht të lartë punonjësish dhe risqe të larta (fasonët, ndërmarrjet e përpunimit të peshkut, të mishit, nafta, etj.) duhet t’i kenë patjetër këto këshilla”,- shprehet Ylli.
Sipas ish-kryeinspektorit të Punës, vështirësia qëndron në evidentimin e mosfunksionimit të këtyre këshillave. “Nuk është problem mungesa e inspektorëve në terren, të cilët mund të shkojnë për kontroll dhe të vendosin gjoba. Një kompani e ka të lehtë të bëjë dokumente formale e të thotë që këshilli është mbledhur. Është ndryshe të konstatosh në vendin e punës një punëtor informal dhe është ndryshe për një këshill sigurie. Madje kompania mund të të ftojë të marrësh pjesë në mbledhjen e këshillit, e realizon mbledhjen në prani të inspektorit dhe më pas nuk e mbledh më asnjëherë,” shprehet Ylli.
Rekomandimet
Për t’u siguruar që KSSHP-të funksionojnë, vetë Ylli pohon se duhet një kontroll më i zgjuar i inspektorëve duke mos u fokusuar vetëm te informaliteti apo masat mbrojtëse. Ndërkohë Kalaja thekson se fillimisht duhet të vihet në funksion Këshilli Kombëtar i Punës.“E dyta është që ISHPSHSH duhet të merret direkt me zbatimin e ligjit sepse industria nuk është vetëm ajo minerare, por ka një sërë profesionesh që kanë të bëjnë me industrinë dhe që përbëjnë rrezik për fatkeqësi, të cilat tregojnë se ligji i miratuar nga parlamenti shqiptar nuk zbatohet”,-shton ai. Edhe sipas Hoxhës “vëmendja nuk duhet të fokusohet vetëm te minierat, që gjithsesi janë më të përfaqësuarat nga ana e sindikatave dhe kanë një numër punonjësish që shkon në rreth 4000 vetë, por kemi sektorë të tjerë si ai fason, ku 95% e të punësuarve janë gra e që kanë rreth 100 mijë të punësuar”. “Gjithashtu, punonjësit duhet të organizohen dhe në kuadër të organizimit të përgjithshëm, kolektiv për mbrojtjen e të drejtave të tyre kjo do të jetë pjesë e kësaj “pakete”.  Kjo është edhe pjesa më e vështirë, duke qenë se organizimi i punonjësve në vendin tonë është pothuajse i papërfillshëm. Edhe vetë punëdhënësi duhet të bëjë trajnime për të drejtat e punonjësve në punë”, thotë eksperti. Gjithashtu, ai rithekson nevojën që ISHPSHSH nuk duhet të ngelet vetëm në kontrolle formale, por duhet të shikojë si është zhvilluar aktiviteti i këtij këshilli, duke kontaktuar me përfaqësues të këtij këshilli, sidomos me përfaqësuesit e punonjësve. TV SCAN

Modifikuar më Hënë, 18 June 2018 09:05
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...