Krimi në familje ka goditur sërish. Mëngjesin e djeshëm Miloti është tronditur pasi një 35-vjeçare ka qëlluar me armë mbi bashkëshortin e saj, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:10, në tregun e Milotit në Kurbin. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasja Violeta Donaj, 35 vjeçe, banuese në Rrëshen, ka vrarë me pistoletë shtetasin Kujtim Donaj, 42 vjeç. Menjëherë pas vrasjes 35- vjeçarja e tronditur ka tentuar te largohet, por është vënë në prangat e policisë, teksa kishte dalë në autostradë dhe mbante duart lart. Sipas policisë shkak i konfliktit dyshohet se është bërë konsumimi i alkoolit dhe frekuentimi i lojërave të fatit nga Kujtim Donaj.
Ngjarja
Xhelozia, dhuna sistematike nga i shoqi, debatet për shkak të bixhozit dyshohet të kenë qenë shkaktarët e ngjarjes tragjike në Milot, ku Violeta Donaj, nënë e dy fëmijëve të mitur ka qëlluar katër herë me pistoletë ndaj bashkëshortit të saj, Kujtim Donaj. Dëshmitaret kanë dëgjuar fillimisht një debat mes gruas dhe 42 vjeçarit, dhe më pas janë dëgjuar të shtënat e pistoletës. Krimi i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në mes të tregut të Milotit. Sipas dëshmitarëve çifti banonte në Rrëshen dhe çdo të diel shkonin në treg. Mësohet se Kujtim Donaj ka qenë duke hapur mallin në tezgën që kishte në treg, kur ka ardhur gruaja e tij dhe e ka qëlluar duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Tregtarë në tregun e Milotit të frikësuar nga ngjarja thonë se nuk dinë asgjë rreth shkaqeve që çuan gruan 35 vjeçare në kryerjen e këtij akti ekstrem. Ata e njihnin çiftin Donaj si shitës së rrobave të fëmijëve në treg. Një nga tregtarët i tha policisë se viktima i kishte kërkuar gruas të bënte sa me shpejt 10 mijë lekë të vjetra xhiro dhe t’ia jepte atij. Gjithashtu, sipas dëshmitarëve mëngjesin kur ndodhi krimi, Kujtim Donaj kishte shkuar i pari në treg me një fugon mallrash. Pak minuta më vonë mbërriti Violeta Donaj, së bashku me kunatën. Sapo ka zbritur nga makina, 35 vjeçarja ka qëlluar ndaj bashkëshortit.
Violeta ka qëlluar nga një distancë e afërt duke i shkaktuar tre plagë në trup 42-vjeçarit, ndërsa një prej plumbave ka bërë rikoshet duke shkaktuar panik edhe tek qytetarët që ndodheshin aty pranë. Pas krimit, 35-vjeçarja ka tentuar të largohet, por është ndjekur nga policia. Pak metra kilometra larg vendit të ngjarjes ajo është ndaluar nga një patrullë policie dhe nuk ka bërë rezistencë. Pas vrasjes 35-vjeçarja mes lotësh bërtet duke u penduar për krimin e rëndë. Ajo dëgjohet të thotë: “Oj nanë, ç‘bëra unë”. Në gjendje të rëndë psikologjike Violeta
Donaj mësohet të këtë deklaruar gjatë shoqërimit në polici se shkak për aktin ekstrem ishte bërë dhuna sistematike nga i shoqi, e cila vinte si pasojë e xhelozisë që kishte ndaj saj Kujtimi. Po ashtu bazuar në deklaratat e gruas, bashkëshorti luante në lojëra fati, gjë që kishte ndikuar në krijimin e vështirësive financiare. Ndërkohë grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shkaku
Në gjendje të rëndë psikologjike Violeta Donaj mësohet të këtë deklaruar gjatë shoqërimit në polici se shkak për aktin ekstrem ishte bërë dhuna sistematike nga i shoqi, e cila vinte si pasojë e xhelozisë që kishte ndaj saj Kujtimi.
Vrasja
Sipas dëshmitarëve mëngjesin kur ndodhi krimi, Kujtim Donaj kishte shkuar i pari në treg me një fugon mallrash. Pak minuta më vonë mbërriti Violeta Donaj, së bashku me kunatën. Sapo ka zbritur nga makina, 35 vjeçarja ka qëlluar ndaj bashkëshortit. Violeta ka qëlluar nga një distancë e afërt duke i shkaktuar tri plagë në trup 42-vjeçarit, ndërsa një prej plumbave ka bërë rikoshet duke shkaktuar panik edhe tek qytetarët që ndodheshin aty pranë.