Një ditë më parë, Instituti i Statistikave raportoi për rritje vjetore të eksporteve me 18.4 %. Por nga se është shkaktuar një rritje e tillë? Eksportuesit vlerësojnë se ndikimi kryesor për këtë rritje, që në pamje të parë flet për një ecuri shumë pozitive, ka ardhur nga faktorë të paqëndrueshëm dhe të pashëndetshëm.
Për Alban Zusin, kryetarin e Qendrës së Eksporteve , rritja ka ardhur nga kombinimi i këtyre tre elementëve, që në afatmesëm dhe afatgjatë nuk premtojnë mirë për ekonominë tonë. “Ka ndodhur për shkak të rritjes së shitjes së mineraleve, pasi cmimi i kromit është rritur.
Ka pasur rritje të eksporteve të energjisë, për shkak të rreshjeve, që dëmtuan rëndë bujqësinë (pra, kjo rritje të mos ndodhte më), si dhe kemi rritje të eksportit të karburanteve, pasi ARMO nuk e përpunon më naftën bruto (pra, po shitet si lëndë e parë dhe importojmë produkt të gatshëm”, shprehet Zusi.
Ky kombinim faktorësh po ndodh në një kohë, kur ka ngadalësim të industrisë ushqimore. “Nga ana tjetër, kemi ngadalësim të rritjes së motorit kryesor të eksporteve, që është industria e lehtë ushqimore. Këta janë barometrat e vërtetë që tregojnë rritjen dhe performancën e qëndrueshme të ekonomisë.
Pasi këta sektorë punësojnë gjithmonë e më shumë njerëz, këta sektorë gjithmonë e më shumë po rrisin përpunimin e lëndëve të para vendase, si dhe kanë qëndrueshmëri dhe japin parashikueshmëri në zhvillimin e vendit.
Ndërsa rritjet konjukturale e për më keq, rritja e eksporteve për shkak të mospërpunimit të lëndës së parë, si rasti i naftës janë fenomene që jo vetëm nuk tregojnë asgjë për një performancë të mirë ekonomike, por mund të quhen edhe regres, kur ti importon lëndë të parë të përpunuar diku tjetër, kur para një viti e bëje vetë”, shprehet Zusi.
Kreu i Qendrës së Eksporteve shpjegon se industria e lehtë dhe ushqimore, që është baza për eksportet po kalon ditë të vështira, për shkak të zhvlerësimit të euros.
“Frenimi i rritjes së motorik kryesor të ekonomisë, siç është industria e lehtë dhe ushqimore sapo ka nisur të shfaqë shenjat e para të pasojave të zhvlerësimit të euros. Por pasojat më të rënda janë në rënien e padiskutueshme të investimeve nga ky sektor, që askush nuk po kujtohet ta masë e ta vlerësojë”, deklaron Zusi.
Që prej fillimit të vitit e deri më tani, euro ka rënë me 8 lekë. Në janar, monedha europiane ishte në kuotën e 133.5 lekëve, ndërsa ka zbritur aktualisht në 125.5 lekë. Zhvlerësimi i euros vijon edhe pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë për të blerë valutë.
Eksportuesit e zhvillojnë të gjithë aktivitetin e tyre në këtë monedhë. Humbjet nga kursi i këmbimit vlerësohen sipas tyre, në miliona euro, para që duhet të do të riinvestoheshin në teknologji dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.