Shqiptarët, që jetojnë në një vend që aspiron të hyjë në Bashkimin Europian, duan të largohen nga shteti amë, më shumë sesa banorët e vendeve që janë në luftë, si Siria apo Iraku, në raport me popullsinë e tyre.
Monitor ka përpunuar të dhënat e Raportit vjetor të situatës së azilantëve, të publikuar nga Bashkimi Europian për kërkesat për azil nga e gjithë bota, në raport me popullsinë përkatëse për vitin 2017. Nga këto të dhëna, rezulton se Shqipëria vitin e kaluar renditej e shtata për numrin e azilkërkuesve në vlerë absolute, me 26,060 kërkesa për azil. Por, shifrat janë më alarmante kur bëjmë krahasimin në raport me popullsinë e secilit vend. Sipas llogarive të Monitor për numrin e azilkërkuesve për herë të parë për 1000 banorë për secilin nga 20 shtetet që kryesojnë listën në vlerë absolute, Shqipëria renditet e para në botë, duke tejkaluar edhe azilkërkuesit që po ikin nga lufta dhe konfliktet, pr shkak të popullsisë relativisht të vogël që ajo ka, prej 2.87 milionë banorësh[1].
Për çdo 1000 banorë në Shqipëri, numri i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian ishte 9, duke kryesuar kështu top-listën. Të dytët renditen shtetasit nga Gambia, me 6.5 kërkesa për azil në çdo 1000 banorë, duke u pasuar sirianët, të cilët po i ikin njërit nga konflikteve më të përgjakshëm që ka njohur bota, me 5.9 kërkesa për 1000 banorë, të renditur të tretët. (shiko tabelën në fund).
Afganistani, i cili për sa i përket numrit të azilkërkuesve, së bashku me Irakun, përbëjnë tre shtetet kryesore të origjinës së azilkërkuesve, sipas llogarive për 1000 banorë, renditen përkatësisht në vendin e 7 dhe 8.
Në dhjetë vendet e para për numrin më të lartë për 1000 banorë kryesojnë kryesisht shtete nga lindja e mesme (ku ka konflikte) dhe Afrika.
Edhe pse numri i aplikimeve nga Shqipëria ka ardhur në rënie, përsëri renditemi ndër vendet me numër të lartë të tyre. Raporti vjetor mbi azilantët gjithashtu thekson se përqindjen më të ulët të pranimeve të këtyre kërkesave e kanë vendet nga Ballkani Perëndimor, si Shqipëria, Kosova dhe Serbia.
Edhe të dhënat për tremujorin e parë të 2018-s tregojnë se Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë. Rreth 3% e azil kërkuesve për herë të parë në BE ishin me origjinë nga Shqipëria, apo afërsisht 4000 aplikime.
Sipas Raportit vjetor të situatës së azilantëve, të publikuar nga Bashkimi Europian, Shqipëria renditet e shtata në botë për numrin e azilkërkuesve në Bashkimin Europian në vitin 2017, pas shteteve që i ikin luftës, si Siria, Iraku, Afganistani, Pakistani dhe Eritrea, me 26 mijë aplikime. Që nga viti 2013, rreth 157 mijë qytetarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil, ku numri më i lartë ishte në 2015-n, me rreth 69 mijë persona, për të zbritur më pas në 33 mijë persona në 2016-n.
4000 Shqiptarë kërkojnë azil për herë të parë në BE në janar-mars 2018
Shqiptarët vijuan të kryesojnë kërkesat për azil në BE ndër shtetet europiane edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Eurostat publikoi të dhënat e tremujorit te pare 2018 për azilkërkuesit që aplikuan për herë të parë në vendet e BE.
Në 28 -të vendet e BE numërohen rreth 131 mijë azilkërkues të rinj për tremujorin e parë prej të cilëve 3 për qind ose rreth 4000 prej tyre ishin shqiptarë. Fluksi i shqiptarëve që kërkojnë azil ka rënë në krahasim me vitet e kaluara, por Shqipëria kryeson shtetet europiane jashtë BE-së, por që kërkojnë azil në BE.
Eurostat raportoi se gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, 131 000 azilkërkues për herë të parë kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian (BE). Numri i azilkërkuesve u ul me 15% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2017, kur u regjistruan 154 000 aplikantë për herë të parë.
Shumica e aplikimeve ishin nga sirianët, irakianët, afganët dhe nigerianët. Sirianët mbetën grupi më i madh i personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në vendet anëtare të BE. Sirianët ishin përpara irakianëve (9 200), afganëve (7 700 aplikantë për herë të parë) dhe nigerianëve (6 400).
Aplikantët nga këto shtete përbënin 30 për qind të të totalit të azilanteve rishtarë në BE
Shumica e kërkesave për azil në Gjermani, Francë dhe Itali. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, numri më i madh i aplikantëve u regjistrua në Gjermani (me 34 400 aplikantë ose 26% të aplikantëve, në Francë (25 300 ose 19%), pasuar nga italia (17 800, ose 14%) dhe Greqia (13 000, ose 10%).
Numri i azilkërkuesve për herë të parë u ul në krahasim me tremujorin e mëparshëm në Austri (-30%), Gjermani (-25% 24%) dhe itali (-22%). Në të kundërt, rritjet u regjistruan në Belgjikë dhe Spanjë (si + 9%) dhe Holandë (+ 7%).
Krahasuar me popullsinë në Qipro u regjistrua shkalla më e lartë e aplikantëve të regjistruar për herë të parë gjatë tremujorit të parë 2018 (1 551 aplikantë për 1 milion banorë), pasuar nga Greqia ( me 1 204 azilante për 1 milionë banorë, Malta (856 aplikantë për 1 milionë banorë) dhe Luksemburgut. Në tremujorin e parë 2018, në total ishin 257 aplikantë për 1 milion banorë në në BE në tërësi.
Në fund të marsit 2018, mbi 892 000 kërkesa për azil në Shtetet Anëtare të BE ishin në shqyrtim nga autoritetet kombëtare, një rënie prej 10% krahasuar me marsin 2017 dhe 4% krahasuar me dhjetor 2017
Burimi: Raporti vjetor i situatës së azilantëve, Banka Botërore për popullsinë,
Monitor për përllogaritjet për 1000 banorë.
Burimi: Raporti vjetor i situatës së azilantëve, Banka Botërore për popullsinë,
Monitor për përllogaritjet për 1000 banorë. /Monitor/