Në analizën vjetore të Avokatit të Populli, kreu i këtij institucioni Erinda Ballanca thotë se nga 188 rekomandime drejtuar institucioneve të shtetit, vetëm 85 janë pranuar dhe zbatuar. Ndërsa pjesa tjetër nuk është pranuar, nuk kanë marrë përgjigje dhe nuk janë zbatuar.
Erinda Ballanca: Krijimi i një administrate publike më të ndjeshme dhe llogaridhënëse ndaj opinionit publik dhe më të ndjeshme ndaj kërkesave për drejtësi dhe besueshmëri është në interesin e të gjithëve ne, por ju siguroj dhe të institucionit që unë drejtoj.
Gjatë vitit 2017 rezulton se nga 188 rekomandime të adresuara në total 24 janë pa përgjigje, 29 rekomandime janë refuzuar nga institucionet që ia kemi drejtuar dhe 123 rekomandime janë pranuar, pjesa tjetër është në proces shqyrtimi. Nga 123 rekomandime të pranuara nga organet shtetërore, 85 janë pranuar dhe zbatuar, ndërsa 24 janë pranuar, por nuk janë zbatuar. Ndërkohë për 14 rekomandime që janë pranuar prej tyre institucionet përgjegjëse nuk kanë dërguar informacion për ecurinë e zbatimit të tyre.