Vetëm në MAS nuk e ditkan që në provimet e maturës kopja është masive

E Enjte, 21 June 2018 15:24

Nga Ermion  Dulla        

Ne shqiptarët në këtë gjysmë demokraci po lëmë kokrrën e namit duke sharë  e nemur njëri tjetrin.  Ndodh kështu, sepse asgjë nuk e kemi bërë si duhet e sipas radhës. Gjithçka e kemi bërë sipas qejfit të njërit  e tjetrit oligark të pashpirt. Është kjo arsyeja që edhe në këtë periudhë provimesh  të gjithë ankohen, vile më shumë Ministria e Arsimit  për fenomenin e kopjimit, fenomen që është masiv në shkollën tonë, aq sa edhe nxënësi me I dalluar nuk e lodh mendjen, po pret t’i vijë kopja përmes celularit nga mësuesi që është paguar gjatë vitit për kurset ve ngritura prej tij. Acik, acik kjo vështirë e vërteta e shkollës albaneze, tashmë krejtësisht e shkatërruar. 

Në çdo veprim që kryejmë, lëmë kokrrën e namit. Ja edhe në provimin e matematikës së maturës të kryer një ditë më parë, angazhuam mbi 500 policë. Po edhe  2500  mësues, të cilët askujt nuk i shkon mendja t’i paguajë për punën që bëjnë. “Jo, ata paguhen nga shkolla, nuk ka pse të paguhen për punën që kryejnë gjatë ditës së provimit”,- është përgjigja e ndonjë shërbëtori të oligarkut  të arsimit. Po, ama, hesht kur mësuesi i thotë: punën time në shkollë e bëj vetë. Ndërsa këtu lodhem duke të shërbyer ty pa më paguar, apo jo?, Një fenomen grotesk si shumë të tjera në sistemin arsimor albanez. Ç’nuk po bëhet, por pyetjet e provimit dalin nga sallat e stërmëdha të provimit brenda pak minutave të nisjes së provimit. Kështu ndodhi edhe në provimin e matematikës, edhe në provimin e lëndëve me zgjedhje. Kështu ndodh në të gjitha provimet që organizohen në këtë gjysmë shtet. Si për të treguar  se, ne shqiptarët dimë vetëm të çudisim të tjerët, vetë Ministria e Arsimit, ndërsa pranon daljen e pyetjeve para kohe në rrjetet sociale, kërkon ndjekjen penale të deputetit dhe të një qytetari tjetër që kishin nxjerrë pyetjet para kohe në rrjetet sociale. Por pyetjet i kanë patur mbi tavolinë të gjithë qytetarët  që kishin fëmijët në provim. Të gjithë shoqëroheshin nga mësues specialist të lëndës që duhej t’u përgjigjeshin  sa më mire pyetjeve. Pasi nxënësi tashmë nuk di ta lodhë mendjen e t’u përgjigjet pyetjeve vetë.

Ja, edhe në këtë rast çudisim dynjanë. Të paktën  tregojmë se, klasën politike që kemi në krye të punëve prej afro 30 viteve, e kemi vetëm për të na mashtruar  dhe jo për të zgjidhur problemet. Edhe sistemi arsimor, ka degjeneruar deri në atë shkallë sa më nuk mund të riparohet. Ndërsa reformat  janë kthyer në veprime groteske  të drejtuesve të arsimit. Çdo parti që vjen në pushtet, nis reformë të re. Kështu ka ndodhur  e po ndodh në këtë tokë të shqiponjave. Reforma me parimin: “secili për vete, zoti për të gjithë”. E çuditshme është  kërkesa për ndjekje penale të deputetit e qytetarit për nxjerrje të  pyetjeve ë provimit. More, pse ndodh ? Pas orës kur nxënësit mbyllen në sallë për të  kryer provimin çdo vit e çdo lëndë, pyetjet dekonspirohen dhe dalin në rrjetet sociale. Këtë gjë e dinë të gjithë shqiptarët. Nuk e ditkan vetëm  drejtuesit e punonjësit e Ministrisë së Arsimit?. Është një nga çuditë më ekzemplare. Sepse telefonat celularë, nxënësit në çdo provim i kanë me vete. Por edhe zgjidhjet që ua dërgojnë më të zgjuarit, mësues të lëndës, apo të afërm. Është kjo arsyeja që janë me dhjetëra e qindra prindërit që përcjellin fëmijët drejt sallës së provimit. Ata ia gjejnë anën t’ua dërgojnë edhe celularin. Edhe pse nxënësit ndërsa hyjnë brenda në sallë kontrollohen. Është një ritual  që përsëritet nga viti në vit. Ndaj drejtues e punonjës të ministrisë së Arsimit mos leni kokrrën e namit duke  dërguar njerëz kot për ndjekje penale. Sepse kështu bëheni  edhe më shumë qesharakë në sytë e opinionit, i cili e di tamam të vërtetën. Ndaj s’mund t’ia fshihni atij.  Ja, bëni një kontroll të përciptë për nxënësit që kanë mbaruar me të gjitha 10, që janë bij të oligarkëve, të mësuesve të shkollës etj. Shikoni se ka mjaft prej tyre që kanë mbetur, apo mbartin nga 2 e më shumë lëndë nga viti në vit. Më thoni, a mund të ndodhë kështu me nxënësin e të gjitha 10 në kushte normale? Absolutisht jo. Po janë 10 që janë marrë, ja, përmes celularit që ju na pretendoni se nuk  mund të kopjohet. Mos lini kokrrën e namit. Në këtë Shqipëri, siç kanë ardhur kohët, gjithçka mund të ndodhë. E jo më të kopjohet,”nga unë që jam milioner dh e ta mbylli gojën me dollarë mos zonja Ministre”. Sepse kudo  lëvrijnë  kurset private. Ndaj mësuesit  që paguhen nga prindi e ka për detyrë vlerësimin e nxënësit me notë maksimale. Pra, në jo pak raste, është vetë mësuesi që ua dërgon kopjen përmes celularit. Edhe këtë të vërtetë e dinë mirë si nxënësi, si prindi ashtu edhe mësuesi. Aq sa sot thuhet me të qeshur se, nxënësi në këto provime  nuk pranon ta vejë në punë Komitetin Qendror, por pret vetëm kopjen që mësuesi ia përcjell përmes celularit. Zonja Ministri! Mos e lodh edhe ti mendjen shumë. Këtë të vërtetë e di mirë edhe ti. Po detyra ta kërkon që të mos e pranosh. Ani çka?  Ne, shqiptarët e dimë mirë se ç’ndodh sot, apo nesër. Ndaj dhe fëmijët i përcjellim në universitetet e botës. Duke marrë kredi nëpër banka. Kështu ka qenë dje, kështu do të jetë nesër. Kështu do të jetë edhe vitin e ardhshëm  e më tej. Tashmë këto provimet që thoni ju, janë një ritual i mërzitshëm  për të gjithë shqiptarët. Sepse të paktën të vërtetën  nuk e tregojnë.

Login to post comments