Qeveritë e eurozonës kanë ndërmjetësuar një marrëveshje të shumëpritur për lehtësimin e borxheve për Greqinë, duke i shtyrë afatet e ripagimit të kredisë prej thuajse 100 miliardë euro, ndërsa vendi përgatitet të dalë nga epoka e programeve të shpëtimit financiar.
Ministrat e financave bënë publike pikat përfundimtare të një marrëveshjeje, në më shumë se gjashtë orë bisedime që u zhvilluan natën në Luksemburg të enjten, shkruan FT.
Marrëveshja u përshëndet menjëherë nga qeveritë si një hap “historik” pas tetë viteve në të cilin Greqia ka kaluar tre programe shpëtimi dhe ka vuajtur depresionin më të keq të çdo ekonomie evropiane në kohët moderne.
“Është një moment i jashtëzakonshëm,” tha Pierre Moscovici, komisioneri i ekonomisë së BE, pas takimit. “Kriza greke përfundon këtu sonte në Luksemburg”.
Marrëveshja nënkupton shlyerjen e 96 miliardë eurove kredi, duke përfshirë interesin, për 10 vjet dhe një vendim paralel për zgjatjen e maturimeve të tyre për të njëjtën kohë. Afatet më të hershme të ripagimit ndryshojnë nga 2023 në 2033.
Një pjesë tjetër e rëndësishme e planit përfshin rritjen e madhësisë së këstit përfundimtar të Greqisë për paratë e ndihmës, për të ndihmuar në ndërtimin e rezervave të parave që mund ta mbështesin atë gjatë muajve të ardhshëm.
Arritja e një marrëveshje ishte shndërruar në një urgjencë, duke marrë parasysh pak kohë që mbetet deri në fund të programit të Greqisë për shpëtimin më 20 gusht, ndërsa eurozona po siguronte investitorët se borxhi i vendit është i qëndrueshëm.
“Greqia po e kthen faqen,” tha Euklid Tsakalotos, ministri i financave i vendit. “Ne kemi të gjitha mundësitë që ta përfundojmë programin e shpëtimit me besim.”
Një kompromis u arrit pas negociatave intensive për të zgjidhur shqetësimet gjermane rreth pjesës së paketës së lehtësimit të borxheve. Shpresat për marrëveshje të shpejtë të enjten u zhdukën, kur Olaf Scholz, ministri i financave gjermane, krijoi kushte të vështira për të pranuar një zgjatje të konsiderueshme të maturitetit, duke shkaktuar orë të furishme bisedash, që përfunduan me thirrje në kryeqytetet kombëtare, duke i kërkuar krerëve të shtetit që të japin bekimin e tyre për kompromisin përfundimtar.
Berlini ishte i kujdesshëm në lidhje me planet për një rritje të madhe në madhësinë e këstit përfundimtar të Greqisë të parave të shpëtimi, nga 11.7 miliardë euro që ishte planifikuar, në fund duke pranuar shumën mund të rritet në 15 miliardë euro. Kjo do të linte Athinën me rezerva parash të gatshme për 24.1 miliardë euro, të mjaftueshme për të mbështetur vendin për të paktën 22 muaj.
“Bisedimet ishin të vështira,” tha Bruno Le Maire, ministri i ekonomisë i Francës. “Diskutimet janë gjithmonë të vështira kur aksionet janë të larta”.
Qëndrueshmëria e Berlinit reflekton presionin e brendshëm ndaj qeverisë së Angela Merkelit, veçanërisht nga partneri i saj bavarez konservator i koalicionit, CSU, i cili ka kritikuar kancelaren se është shumë e gatshme të përdorë paratë kombëtare për të zgjidhur problemet e eurozonës.
Një përparësi kryesore në bisedime ishte të krijohej një plan lehtësues i borxhit, që do të mund të bindte Fondin Monetar Ndërkombëtar që borxhet e Greqisë janë në një rrugë të qëndrueshme, pas shumë vitesh mosmarrëveshjeje midis fondit të Uashingtonit dhe qeverive të eurozonës, të udhëhequr nga Berlini, gjatë krizës greke.
Christine Lagarde, kreu menaxhues i FMN, e mirëpriti marrëveshjen, por tha se fondi ende mbajti “rezerva” për qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit të Greqisë.
Si kusht për lehtësimin, Athinës do t’i kërkohet të mbajë një suficit primar buxhetor, i cili përjashton shlyerjen e borxhit prej 3.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2022, me një objektiv se kjo do të qëndrojë mesatarisht 2.2 për qind deri në vitin 2060.
Ministrat e financave në deklaratën e tyre e ‘lanë derën hapur’ për t’i dhënë Greqisë potencialisht më tej lehtësim, duke thënë se ata do të riktheheshin në këtë çështje në vitin 2032.
Mario Draghi, presidenti i BQE, tha se ai mirëpriti gatishmërinë e ministrave të financave për të shqyrtuar masat e mëtejshme të borxhit, në rast se do të materializoheshin zhvillimet e pafavorshme ekonomike .