Nga Xhemal Gjunkshi
Rezultatet e Letërsisë kanë çuditur, madje shtangur nxënësit, mësuesit dhe prindërit e tyre.
Nota dhjetë konsiderohet e paarritshme. Luhatjet në notë drastike. Penalizues si gjithmonë janë nxënësit e mirë, të cilët kanë punuar e derdhur djersë për kaq e kaq vite. Shumë qytetarë më kanë shkruar dhe janë shprehur për gjendjen psikologjike të nxënësve pas marrjes së notës.
A ka ndonjë përgjegjësi Ministria e Arsimit për këtë?
Le ta lëmë mënjanë aspektin teknik të administrimit për të cilin është shkruar gjatë këto ditë.
Unë kam një kërkesë për Ministrinë e arsimit: Të marrë përgjegjësitë e këtij rezultati.
Së pari të shpallë në faqen e saj testin e maturës shtetërore të letërsisë sikundër ka ndodhur në vitet e mëparshme.
U bë viti i tretë që testi nuk del online. Është detyrë e saj të vendosë testin pasi ai ka përfunduar në faqen e vet, që nxënësit ta krahasojnë testin me përgjigjet. Dhe jo vetëm. Testi nuk mund të jetë i fshehtë. Se nuk është objekt krimi.
Po kështu është detyrim i saj të rishikojë procesin e ankimit, pasi çdo nxënës ka të drejtën për ta verifikuar testin e tij. Fakti që vlerësimi i testit bëhet nga dy mësues, nuk e bën procesin e vlerësimit krejtësisht të besueshëm, kur njohim nivelin e mësuesve dhe natyrën e letërsisë vetë si lëndë, e cila është edhe subjektive,
Nga ana tjetër Ministria duhet të rishohë me një komision të posaçëm nivelin e testit kombëtar. Plotëson ai standardet e një testi të standardizuar? Cili është grupi i punës që ka punuar me të? Si qëndron ai test në raport me çelësin e përgjigjeve?
Ministria e Arsimit duhet të veprojë shpejt dhe pa vonesë për të shmangur situatat depressive dhe psikologjike të shumë rasteve që rrjedhin nga ky proces problematik.