Ministria e Brendshme ka publikuar listën me 38 kandidatë, që do të përzgjidhen për të qenë pjesë e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, që do të verifikojë 300 drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.
Edhe pse të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së kanë dorëzuar prej më shumë se një muaji formularët e vetëdeklarimit, Komisionet e Vetingut dhe Sekretariati Teknik ende nuk janë ngritur. Mësohet se 38 kandidatët janë kualifikuar nga Bordi i Përzgjedhjes për të vazhduar në fazën e dytë të konkurrimit për pozicionet e lira të anëtarëve të Këshillit të Jashtëm të Vlerësimit, si dhe për pozicionet e anëtarëve të Sekretariatit Teknik.
Nga 38 kandidaturat për Komisionin e Vlerësimit, do të përzgjidhen vetëm 15. Pesë anëtarë të këtij Komisioni caktohen nga ILDKPKI-ja, të përzgjedhur midis punonjësve të këtij institucioni. Ky organ cakton gjithashtu edhe dy anëtarë zëvendësues, që ushtrojnë detyrën në rast mungesash të zgjatura të anëtarëve të caktuar. Pesë anëtarë të tjerë përzgjidhen nga një bord i caktuar posaçërisht për këtë qëllim, nga pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.
Ndërsa 5 të fundit nga radhët e avokatëve, nga bordi i përzgjedhjes. Ministria e Brendshme ka publikuar edhe listën me emrat e 42 kandidatëve për Sekretariatin Teknik. Organet e vlerësimit organizohen në trupa vlerësimi, të cilat janë përgjegjëse për marrjen e vendimeve ndaj subjekteve të vlerësimit.
Trupat e vlerësimit përbëhen nga tre anëtarë, të cilët caktohen me short nga Komisioni përkatës i vlerësimit, ku përcaktohet relatori i trupës së vlerësimit. Organet e vlerësimit kalimtar mbështeten nga sekretariate teknike gjatë gjithë veprimtarisë së tyre, sipas parashikimeve të këtij ligji.
“Kandidatët do të njoftohen nëpërmjet adresës së tyre të e-mail-it në lidhje me datën dhe orën e zhvillimit të intervistës së strukturuar me gojë”, njoftoi Ministria e Brendshme. Në përfundim të intervistës do të publikohen emrat e anëtarëve të Komisionit dhe Sekretariatit.