Izmira Ulqinaku
Deklarata e fundit e presidentit të parlamentit europian Antonio Tajani që ndjek prononcimet e disa politikanëve gjermanë dhe austriakë, vijon të masë pulsin e reagimit të opinionit evropian dhe atij shqiptar për ngritjen e kampeve të pritjes së refugjatëve në Ballkan e veçanërisht në Shqipëri. Shoqëria shqiptare prej ditësh përballet me debatin më të ndezur të Bashkimit Evropian, atë të menaxhimit të krizës së refugjatëve, që tani pritet të kthehet në një problem serioz edhe për ne. Çdo ditë që na afron me samitin e 28-29 qershorit në Bruksel, përballemi me informacione dhe qëndrime kaotike që synojnë të na pështjellojnë gjithnjë e më shumë, nga njëra anë me mungesën e transparencës nga qeveria shqiptare dhe nga ana tjetër me “zërat” që dalin nga kazani i qeverisë që po mundohen të justifikojnë se shqiptarët duhet të tregojnë anën e tyre humane, që dhe ne kemi qenë dikur si sirianët, si dhe na e percjellin si të vetmin kusht të vendosur nga BE për të hapjen e negociatave.
Por e gjithë kjo zallamahi politike dhe mediatike bëhet vetëm për një qëllim, për të shmangur vëmendjen nga vendimi për çeljen e negociatave që për fat të keq duket se edhe kësaj radhe do të jetë negativ për Shqipërinë . Siç po bëhet evidente nga kancelaritë e vendeve të BE-së, shumë prej tyre e shohin me skepticizëm hapjen e negociatave me Shqipërinë. Holanda, Franca dhe Gjermania e kanë shprehur haptas se nuk mund të tolerojnë të mbyllin sytë para kapjes së shtetit nga krimi, droga dhe korrupsioni. Shprehja më e zakonshme e tyre- presim rezultate konkrete, sado prozaike të duket, gjithnjë përkthehet se modeli i qeverisjes “fasadë” të Edi Ramës me to nuk ecën. Duke mos pasur asnjë rezultat se çfarë të tregojë, Edi Rama, kryeministri më qesharak në politikën e jashtme, vazhdon të ndjekë rrugën e të bërit blof. Të gjithë e kujtojmë gjysmën e dytë të 2017, në çdo takim jozyrtar dhe prononcime mediatike, ai shprehej se nëse BE nuk na i hap dyert, Shqipëria mund të merrte një orientim tjetër, duke pasur parasysh ndikimin nga vendet e Lindjes. Imagjinoni këtë e thotë kryeministri i popullit më proevropian të Ballkanit. Ndërkohë që javët e fundit, duke e parë se skandalet e qeverisë së tij nuk mund të fshiheshin e as toleroheshin, se krimi e korrupsioni mbushnin edhe raportet ndërkombëtare që vërenin me shqetësim se Shqipëria është kthyer në portën e trafikut të lëndëve narkotike për vendet europiane, Rama zgjodhi një tjetër taktikë, atë të përfshirjes në pikën më nevralgjike të politikës së BE-së, atë të krizës së refugjatëve. Po të lexojmë me vëmendje shtypin evropian, veçanërisht atë gjerman, danez, austriak dhe francez do të shohim se të gjitha informacionet që vijnë prej tyre gjatë kësaj periudhe del që Shqipëria është treguar e gatshme për të ngritur kampet e pritjes së refugjatëve. E gjithë kjo rrëmujë dhe ky debat i nxehtë i këtyre ditëve është shkaktuar vetëm nga Edi Rama. Kjo filloi pas takimeve me Makronin në Francë dhe vizitës në Austri. Ai po mundohet të krijojë alibinë e dështimit të hapjes së negociatave. Që tani megafonët e tij kanë filluar të thonë se s’ka çfarë na duhet BE me kushte të tilla, duke u munduar të manipulojë opinionin mbi të vërtetën e hidhur, se negociatat nuk hapen, sepse ke dy ministra të brendshëm njëri pas tjetrit të lidhur me trafikun e drogës dhe këtë diplomacia europiane e di shumë mirë; se ke një zhytje në korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisjes. Trafiqet, krimi, korrupsioni, kapja e shtetit nga oligarkët, kjo është e vetmja e vërtetë e mos-hapjes së negociatave.
Në fakt ky është dhe lajmi i vetëm që pret Edi Rama nga Brukseli. Ky është qëllimi i tij, të mos hapen negociatat në mënyrë që të shmang me çdo kusht e me çdo çmim mbikëqyrjen e rreptë europiane që vjen pas hapjes së tyre.
Thuhet se që tani skuadra e tij në kryeministri po i bën gati fjalimin prekës, ashtu si në rastin e armëve kimike. Edi Rama pret që dështimin e tij dhe të qeverisë së tij t’ia faturojë krizës së refugjatëve, pret gati me letër në dorë, është i gatshëm të qajë e të jargavitet që shqiptarët ta besojnë. Dhe më pas, larg vëmendjes së BE-së dhe duke vazhduar t’ia bëjë jetën sa më dëshpëruese atyre që kanë mbetur këtu që nuk kanë marrë ende rrugët e emigrimit (a nuk jemi kthyer me të vërtetë në një kamp të stërmadh refugjatësh, sepse kjo qeveri po na bën të ndihemi si të tillë në vendin tonë), do t’i kthehet sërish bashkëqeverisjes me krimin dhe oligarkët (dhe meqë i ka shumë qejf batutat e filmave shqiptarë, duke u zgërdhirë si zakonisht, do të thotë- kjo ishte loja!).