Detaje të reja zbulohen nga ngjarja në Durrës, ku u bllokuan një sasi e madhe eurosh. Deri tani flitet për 5 milionë euro të fshehura në një mjet “Toyota Yaris”, e ngarkuar në një kamion me 8 automjete të tjera. Policia ka nisur hetimet mbi dokumentacionin e mjetit, ndërsa mësohet se kamioni me targa AA 120SP ishte në pronësi të shtetasit Edi Lika.
Ndërkohë në Portin e Durrësit kanë mbërritur krerët e policisë së këtij rrethi. Mwsohet se si drejtori ashtu dhe nëndrejtori i Drejtorisë së Policisë së Durrësit po ndjekin nga afër hetimet dhe procedurat hetimore. Po ashtu edhe prokurori i çështjes Sokol Nishani.
Shuma marramendëse u zbulua në Portin e Durrësit pas sinjalizimit nga Interpol Italia se në një mjet transportoheshin mallra të paligjshme. Deri tani janë katër persona të shoqëruar. Trageti ku ishte makina ishte nisur nga porti i Ankonas.
Ndërkohë që shuma e saktë nuk dihet ende sepse numërimi vijon ende, paratë kanë rezultuar jo të falsifikuara, që ishte një nga dyshimet fillestare.