Shqipëria vazhdon të cilësohet si një vend me rrezik të lartë për biznesin. Në këtë përfundim arrin raporti i tremujorit të dytë i kompanisë franceze të sigurimit të tregtisë, “Coface” dhe që merret ekskluzivisht me sigurimin e kompanive të tjera ndaj rreziqeve të falimentit.
Ky raport i jep Shqipërisë notën C, sa i përket rrezikut të falimentit, ç`ka përkthehet në rrezik të lartë, gjë që ilustrohet në hartë me ngjyrën portokalli. Kaq ishte vlerësimi edhe në raportin e kaluar. Edhe fqinjët e tjerë territorialë të Shqipërisë nuk kanë pësuar ndryshim në vlerësim.
Në Europë, veç Shqipërisë, Bosnje Hercegovina, Mali i zi, Ukraina dhe Bjellorusia janë ndër vendet që kanë një rrezik kaq ta lartë, ndërkohë që Kosova ka rrezikun në shumë të lartë, një shkallë nën nivelin ekstrem.
Ndër vendet që janë zhvlerësuar ndërkohë në Europë janë: Italia dhe Turqia. Pavarësisht kësaj, të dy këto vende kanë një vlerësim më të lartë se vendi ynë. Përmirësim nuk ka për asnjë shtet europian.
Një sërë raportesh të ndryshme të publikuara së fundi tregojnë për një klimë të vështirë të të bërit biznes në vendin tonë, si dhe një përkeqësim të situatës së përgjithshme në këtë drejtim.