I vendosin tritol lokalit pas ndeshjes së futbollit Gjermani-Suedi, por nuk shpërthen.
Pak pas mesnate është zbuluar një rast tritolvënieje në rrugën “Kuvendi i Dukagjinit”, në lagjen “Partizani”, Burrel.
Në këtë lokal, me dhjetëra qytetarë kanë ndjekur ndeshjen e Kampionatit Botëror të Futbollit mes Gjermanisë dhe Suedisë.
Kur ata janë larguar, është pikasur një kallëp tritoli, i cili është çmontuar nga Policia. Burime pranë Komisariatit të Matit bënë me dije se dje, rreth orës 00:40, në qytetin e Burrelit, në pjesën e jashtme të dritares së lokalit të shtetasit Besnik Kola, banues në Burrel, është konstatuar një kallëp i mbështjellë me lëndë plasëse, i cili nuk ka shpërthyer, dhe falë reagimit dhe ndërhyrjes në kohë të Policisë, është çaktivizuar.
Policia e Matit ka nisur menjëherë hetimet, duke bërë shoqërimin e disa personave që dyshohen të kenë dijeni për këtë ngjarje, si dhe po këqyren kamerat e sigurisë për identifikimin e autorit. Motivet e ngjarjes kriminale nuk dihen ende. I pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore, Kola ka deklaruar se ai dhe pjesëtarët e familjes së tij nuk kanë konflikte me askënd.
“Së pari, uroj që shënjestra e këtij atentati të mos ketë qenë lokali im. Unë nuk i kam bërë keq askujt dhe nuk pres që dikush tjetër të ndërmarrë akte të tilla. Kam punuar për disa vite jashtë vendit dhe me kursimet e mia kam hapur këtë biznes familjar. Kam punuar prej katër-pesë vitesh dhe nuk jam konfliktuar me askënd”, mësohet të jetë shprehur Kola për grupin hetimor.
Lokali buzë rrugës kryesore shërben si restorant dhe frekuentohet më shumë gjatë paradites, kohë kur fluksi i qytetarëve është më i madh. Pronari dhe stafi që punojnë njihen për sjelljen e tyre qytetare, gatuajnë mjaft mirë dhe janë mjaft të qetë në marrëdhënie me klientët e tyre. Policia lokale po heton rreth konkurrencës së mundshme, por askush nuk e thotë diçka të tillë zyrtarisht.
Mësohet se lënda eksplozive është vendosur në dritaren e pasme të lokalit dhe disa kalimtarë kanë nuhatur erën e rëndë të fitilit të dinamitit. Ata kanë lajmëruar shpejt personat e ndodhur në lokal se diçka është vendosur në dritare. Lokali është boshatisur dhe menjëherë është kërkuar ndihma e Policisë.
Shumë shpejt, në vendin e ngjarjes ka mbërritur patrulla e Policisë dhe kanë kuptuar se fitili ishte djegur plotësisht, por nuk kishte realizuar shpërthimin e kapsollës, që do të shkaktonte eksplozionin. Mësohet se janë marrë në pyetje personat e ndodhur në lokal si dhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë së disa bizneseve private dhe të një banke të nivelit të dytë, e cila ndodhet përballë lokalit.
“Më datë 24.06.2018, rreth orës 00:40, në qytetin e Burrelit, në pjesën e jashtme të dritares së lokalit të shtetasit B.K, banues në Burrel, është konstatuar një kallëp i mbështjellë, e dyshuar me lëndë plasëse, e cila nuk ka shpërthyer dhe falë reagimit dhe ndërhyrjes në kohë të Policisë është çaktivizuar. Policia e Matit ka nisur hetimet, ka shoqëruar disa persona që dyshohen të kenë dijeni për këtë ngjarje, si dhe po këqyren kamerat e sigurisë për identifikimin e autorit/ëve”, bëhet e ditur nga Policia, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes./panorama