Në Bulqizë është kremtuar 135-vjetori i Teqesë së Bllacës, ku mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Në këtë aktivitet përkujtimor institucioni i Presidentit të Republikës i akordoi pas vdekjes, Baba Ismail Jangullit, urdhrin e lartë "Naim Frashëri", si udhëheqës i shquar fetar, për mbrojtjen e traditave të vyera të besimit bektashian.
Baba Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi lart Teqenë e Bllacës dhe punën plot devotshmëri pasion dhe përkushtim që bëri për ringritjen e saj pas viteve 90 in ndjeri Baba Ismail Janku.
“Është një eveniment vërtet i veçantë se dekorohet një nga udhëheqësit tanë të kësaj teqeje i cili me mund dhe sakrifica dha gjakun e tij duke u mbështetur edhe nga ju të gjithë që merrni pjesë. Bëri këtë teqe të bukur, të ndërtuar në këtë luginë të gjelbër, të ndërtuar mes këtyre maleve, duke i dhënë dritë bektashizmit, duke dhënë dritë njerëzimit, duku ju dhënë dritë edhe juve, familjeve tuaja, fëmijëve tuaj. Edhe baba Ismaili arriti të bëhet një figurë e ndritur, një figurë e cila ndriçoi njerëzinë, paqen dhe dashurinë”, tha ndër të tjera Baba Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Më pas përfaqësuesi i Presidencës, Bledi Dervishaj në emër të Presidentit të Republikës Ilir Meta i akordoi pas vdekjes Baba Ismail Jangullit titullin e lartë Naim Frashëri me motivacionin për kontributin si udhëheqës i shquar fetar në vlerësim të sakrificave për mbrojtjen e traditave të vyera të besimit Bektashian në udhën e Haxhi Bektash Veliut.