Policia italiane ka arrestuar një shtetas italian pasi ka rrahur gruan e tij shqiptare e më pas ka shtënë me pistoletë kundër të birit, pa mundur të godasë në shenjë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë, kur gruaja shqiptare, 44 vjeç, ka telefonuar karabinierët, të cilët shkuan me shpejtësi në vendngjarje. Motivi i sherrit ka qenë xhelozia e italianit ndaj bashkëshortes. Ndaj tij rëndojnë akuzat për tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje e dhunë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia e Carsolit, përveç armës me të cilën shtiu kundër të birit, karabinierët gjetën edhe pesë pistoleta të tjera, të denoncuara si të vjedhura, dy prej të cilave të modifikuara dhe me numrin e regjistrimit të fshirë, disa karikatorë, rreth 70 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe katër armë të ftohta.