Sekuestrimi i 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit konsiderohet nga ekspertët e ekonomisë në vend, si një fakt që në tregun vendas janë hedhur para informale, çka ka ndikuar në mbiçmimin e lekut dhe zhvlerësimin e euros, monedhës së përbashkët europiane.
Për ekspertin Arian Kadareja, kapja e sasisë prej 3.4 milionë euro është e vogël, por me rëndësi është hetimi i thelluar, pasi mund të ketë pasur edhe raste të tjera që sasi të tilla mund të jenë hedhur në tregun vendas.
Kadareja thekson, se para të tilla, të fituara në mënyrë të jashtëligjshme, kanë ndikuar në luhatjen e fortë të euros, sidomos në katër muajt e fundit, periudhë kur monedha europiane u zhvlerësua si kurrë më parë.
“Sasia e kapur në Durrës prej 3.4 milionë euro është një sasi e vogël. Ne nuk e dimë nëse ka pasur edhe sasi të tjera eurosh që kanë hyrë në vend në këtë mënyrë, pra që janë nga burime të paligjshme.
Ne tashmë kemi në dorë një fakt, që paraja e fituar në mënyrë të jashtëligjshme, ka hyrë në treg dhe sigurisht ka ndikuar në rënien e euros në tregun e këmbimit valutor.
Kjo sasi e kapur nga policia është e vogël, por duhet parë nëse sasi të tilla kanë hyrë herë të tjera në vendin tonë” thotë ai.
Ndërsa për ekspertin tjetër, Elvin Meka kanalet informale të parave kanë qenë një shqetësim dhe se ndikimi në tregun e këmbimit valutor ka qenë një nga arsyet.
Por, sipas tij, në zhvlerësimin e euros mund të kenë ndikuar investimet si dhe ardhja e turistëve.
Megjithatë, Meka thekson, se sekuestrimi i sasisë prej 3.4 milionë euro në portin e Durrësit duhet investiguar. “Kanalet informale janë një nga shkaqet e rënies së euros.
Por kjo nuk është e gjitha. Nuk nuk e kemi përjashtuar asnjëherë, rënien e euros si pasojë e këtyre kanaleve informale. Ka edhe elementë të tjerë që kanë ndikuar në luhatjen e këmbimit valutor në treg.
Mund të jetë ardhja e turistëve dhe sjellja e monedhës së përbashkët europiane. Nëse flasim për sasinë 3.5 milionë euro që u sekuestruan në Durrës, nuk do të ketë ndonjë efekt kushedi se çfarë, por nuk dihet nëse sasi të tilla kanë hyrë në treg më parë, pa u pikasur nga autoritetet” thotë Meka.