Heroinë e kanabis nga Ballkani në Europë, u prangosën nën operaconin e koduar "Ballkan" rrezikojnë 131 vite burg 9 anëtarët e trafikut të narkotikëve nëpërmjet Ballkanit, Shqipërisë dhe Europës. Prokurori Eugen Beçi ka lexuar pretencën e Prokurorisë këtë të mërkurë duke kërkuar 17 vite burg për Jurgen Mollën të konsideruar kreun e grupit kriminal të trafikut të heroinës e kanabisit. Të pandehurit e këtij procedimi penal akuzohen se janë pjesë e një rrjeti më të gjerë të arrestuarish, të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike në linjën Turqi-Kosovë/Greqi-Shqipëri me destinacion vendet e Bashkimit Europian përgjatë viteve 2015-2016. Sipas kërkesës për gjykim, provat e mësipërme vërtetojnë se Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri dhe Anesti Koromani kanë luajtur rolin e financuesve dhe organizatorëve të trafikut të drogës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë. Prokuroria rendit 4 episode të trafikut në kërkesën për gjykim, ngjarje këto të ndodhura nga qershori 2015 deri në mars të vitit 2016, pjesë e këtij grupi janë edhe dy shtetas turq.
Provat e akuzës 189 CD me përgjime
Të pandehurit e këtij procesi penal jan nga Shqipëria-Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri, Anest Koromani, Klaudio Veizaj dhe Orges Myftaraj, ata nga Kosova; Arif Çiço, Blerim Ukimeraj dhe Elmi Thaqi si dhe të pandehurit turq, Enver Kurtulus dhe Abubekir Tuncdemir akuzohen për veprat penale të “grupit të strukturuar kriminal” dhe “trafikut të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Në korrik 2016, Policia shqiptare deklaroi se në kuadër të operacionit “Ballkan” ishin arrestuar 30 persona dhe 23 të tjerë ishin shpallur në kërkim në Shqipëri, Greqi, Maqedoni dhe Bullgari. Megjithatë, një pjesë e të pandehurve po ndiqen penalisht në vendet ku janë arrestuar. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në Gjykatë një sërë provash materiale kundër të pandehurve, së bashku me 189 CD me përgjime telefonike. Sipas pretencës, provat e mësipërme vërtetojnë se Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri dhe Anesti Koromani kanë luajtur rolin e financuesve dhe organizatorëve të trafikut të drogës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë.
Episodet e trafikut të drogës nga grupi
Para se të arrestohej, Molla njihej si biznesmen në Lezhë me një aktivitet të zgjeruar në fushën e ndërtimit. Në njërin prej përgjimeve të dhjetorit 2015, Molla mburrej se kishte paguar 150 mijë euro për transferimin e një prokurori nga Krimet e Rënda në drejtim të Shkodrës. Prokuroria rendit 4 episode të trafikut në pretencë, ngjarje këto të ndodhura nga qershori 2015 deri në mars të vitit 2016. Sipas saj, Arif Çiço nga Kosova, së bashku me të pandehurit turq Enver Kurtulus dhe Abubekir Tuncdemir kanë luajtur rolin e ndërmjetësit në sigurimin e heroinës, ndërsa të pandehurit e tjerë kanë pasur role ndihmëse. “Gjatë muajit qershor 2015, shtetasit Jurgen Molla, Arif Çiço dhe Abubekir Tuncdemir kanë realizuar një sërë takimesh në Kosovë dhe në Shqipëri, në funksion të arritjes së një marrëveshjeje për trafikimin e një sasie heroine…,”-thuhet në kërkesën e Prokurorisë. Sipas hetimit, bëhej fjalë për një sasi prej 15 kilogramë e 224 gramë heroinë dhe pas arritjes së marrëveshjes, Molla dyshohet se ka dërguar në Prizren të besuarin e tij, Orges Myftaraj së bashku me 230 mijë euro si garanci për pagesën. Prokuroria shton më pas se Molla ka udhëtuar drejt Patokut në Laç, ku është takuar me Arben Prendin-shofer kamioni dhe e ka paguar 8 mijë euro për transportin. Telefonatat e përgjuara mes të dyshuarve tregojnë se heroina ndodhej e magazinuar në afërsi të Prishtinës. Më 29 qershor 2015, Policia arrestoi në pikën kufitare të Morinit Prendin dhe në kamionin e tij u gjendën 15 kilogramë e 224 gramë heroinë. Një vit më pas, Prendi u dënoi me 14 vjet burg në një proces të mëvetshëm. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Molla i është rikthyer komunikimeve me ndërmjetësit Arif Çiço dhe Abubekir Tuncdemir në fund të tetorit 2015 për trafikimin e një sasie tjetër heroine. Shtetasi turk arriti të trafikonte 15 kilogramë heroinë nga Turqia në Selanik, ndërsa Jurgen Molla ra dakord të merrte një sasi prej 5 kilogramësh, për të cilën kërkoi ndihmën e Shyqyr Kotorrit dhe rrjetit të tij në Greqi. “Si rrjedhojë e bashkëpunimit të Policisë Shqiptare me zyrën e DEA-s në Greqi dhe policinë greke, u arrestuan dy korrierët turq, shtetasit Erol Belir dhe Songul Erek, të cilëve iu sekuestrua një sasi prej 5 kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë,” thuhet në kërkesën e Prokurorisë. Dy episodet e tjera të trafikut kanë ndodhur në dhjetor 2015 dhe mars 2016, ku policia ka arritur të sekuestrojë sasi më të vogla droge në Greqi, bashkë me arrestimin e 8 personave si dhe në Shqipëri.
Pretenca e prokurorisë
17 vite burg për Jurgen Mollën
16 vite burg për Shyqyri Kotorri
15 vite burg për Anest Koromanin
15 vite burg për Arif Çiço
15 vite burg për turkun Enver Kurtuluş
14 vite burg për Abubekir Tuncdemir
14 vite burg për Blerim Ukimeraj
12 vite burg për Elmi Thaçi
13 vite burg për Orges Myftaraj
/Shqiptarja.com/