Rruga Milot-Balldren do të jepet me koncension, në kuadër të programit 1 miliard euro të Partneritetit Publik Privat. Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë. Sipas VKM-së, është vendosur t’i jepen 8.5% të pikëve shoqërisë “A.N.K.”, e cila ka kërkuar vetë këtë koncesion, duke e projektuar, ndërtuar, financuar dhe mirëmbajtur aksin rrugor në fjalë.
Aksi i propozuar shtrihet përgjatë rrugës ekzistuese që lidh Milotin me qytetin e Lezhës dhe devijohet si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren ku më pas lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës, nëpërmjet një tuneli 850 metra të gjatë
Në VKM theksohet se ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Qeveria ka parashikuar të japë me koncension nëpërmjet formës PPP ndërtimin e disa rrugëve dhe shkollave në Shqipëri. Projekti i parë që celi programin 1 miliard euro të Partneritetit Publik Privat ishte rruga e Arbrit, kantieri i ndërtimit të së cilës u hap të djelën e kaluar.