Një nga arsyet e eksodit të grupeve bankare europiane nga tregjet e Europës Lindore në vitet e fundit është forcimi i rregullimit bankar. Autoriteti Bankar Europian prej disa vitesh ka vendosur se të gjitha asetet e bankave jashtë BE-së duhet të klasifikohen me koeficientë rreziku 100% në përllogaritjen e nevojave për kapital të grupeve. Kostoja e mbajtjes së këtyre bankave në kuptimin e kapitalizimit të nevojshëm është rritur, ndaj shumë banka kanë vendosur të largohen nga vendet e rajonit, përfshi këtu edhe Shqipërinë.
Ulja e koeficientëve të rrezikut për investimet jashtë BE-së nuk do të bëhet deri në momentin kur Autoriteti Bankar të ketë vlerësuar ekuivalencën e mbikëqyrjes të secilit vend jashtë Bashkimit Europian me kuadrin që aplikohet brenda Unionit. Ky është një proces i gjatë, që ka nisur me tregjet më të mëdha jashtë Eurozonës. Deri sa Autoriteti Bankar Europian të marrë në inspektim vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, të tjera grupe bankare mund të largohen.
Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë, së bashku me autoritete homologe të rajonit, ka kërkuar që vlerësimi i ekuivalencës së mbikëqyrjes të mund të bëhet nga një prej katër firmave të mëdha globale të kontrollit financiar, Deloitte, Ernst&Young, PricewaterhouseCoopers dhe KPMG. Kjo do të mundësonte që vendet jashtë BE-së ta ndërmerrnin më shpejt këtë vlerësim dhe të fitonin kohë, me qëllim mbajtjen dhe, eventualisht, edhe tërheqjen e investitorëve stregjikë në sektorin bankar. Ndërkohë, në kuadër të përgatitjes për këtë proces, Banka e Shqipërisë do të bëjë një vetëvlerësim të për ekuivalencën e mbikëqyrjes, për të testuar sesa pranë ndodhet në arritjen e këtij objektivi.