Qytetarët që për periudha të ndryshme kohore kanë mbetur pa punë, mund të drejtohen pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të blerë vitet e punës së munguara, në mënyrë që të përfitojnë pension pleqërie. Në një intervistë për TV SCAN, specialisti i kontributeve, Vullnet Sadushi, sqaron se sigurimi vullnetar që duhet të paguajnë qytetarët është në vlerën e 5184 lekëve për një muaj, ndërsa bën me dije procedurën se si mund të paguhen.
“Nëse ka dëshirë, prandaj dhe quhet skemë vullnetare, çdo person mund të paguajë periudhat e kaluara, gjithnjë periudhat që I ka pasur pa punë, të pasiguruara. Pagesa e tyre është 5184 lekë për një muaj që do të sigurojë. Lejohet të sigurojë sat ë ketë mundësinë, një muaj, 5 apo edhe 1 apo 5 vjet. Pra si ta gjykojë secili, por gjithmonë insistojë, që duhet të ketë periudha ma punë. Sa më shumë të paguajë aq më shumë do marri. Edhe minimalisht duhet të mbulojë 15 vjet sigurim, sepse po si pati këto vite, edhe ato periudha që ka më pak së 15 vite, iu digjen me ligj, nuk iu njihen, sepse kështu thotë ligji”.
Ndërkaq, Instituti i Sigurimeve Shoqërore u bën apel edhe emigrantëve që janë të pasiguruar në shtetin ku punojnë, që të blejnë vitet e punës në Shqipëri, në mënyrë që të përfitojnë pension pleqërie. Sadushi sqaron se kur e kanë të nevojshëm emigrantët sigurimin vullnetar në Shqipëri.
“Emigrantët duhet të bëjnë edhe ata pagesat sipas situatës së tyre, me vitet e vjetërsisë, nëse i kanë të pasiguruara në shtetin ku ata punojnë, mirë është të vijnë të bëjnë pagesën e sigurimeve në vendin e tyre. Mjafton të mos dublohen, pra të ketë sigurime në shtetin ku punojnë dhe në Shqipëri. Dhe është e rëndësishme të mos ketë hequr shtetësinë shqiptare, në të kundërt nuk iu njihet”.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore aplikon zbritje në pagesa, në rastet kur paguhen disa muaj bashkë paraprakisht për vitin korrent.