Disa ditë nga skandali Rama-Veliaj mbi Bibliotekën Kombëtare nuk ka asnjë reagim nga qeveria dhe bashkia mbi dëmin që ata i sollën kulturës e trashëgimisë sonë. Sikur i mallkoi Zoti, ua lagu atë çmim që i dhanë vetes qysh ditën e parë. Biblioteka Kombëtare u dëmtua dhe me sa duket do dëmtohet sërish nga ndërtimi aventurier e megaloman i sheshit më qesharak të Europës. Nuk ka asnjë garanci se uji burimor në dyshemetë e bibliotekës që vjen nga depozitat e mëdha Rama-Veliaj në sheshin “Skënderbej” do ta thërrmojë fare bibliotekën e prandaj duhet të themi që deri tani nuk kemi parë gjë akoma. Jemi në prag të një katastrofe edhe më të thellë në fushën e librit. Ende nuk duket as gaztori i Kryeministrisë e as loloja i bashkisë. Këta të papërtuar që vdesin po të mos dalin në ekrane 100 herë në ditë, pse nuk duken gjëkundi? Pse heshtin? A janë ndërgjegjësuar për dëmet që kanë sjellë, apo do ta vazhdojnë budallallëkun deri në fund. nuk është çudi të na dalin me ndonjë propozim për kullë edhe aty. Sheshi “Skënderbej” është një bombë e rrezikshme që për fat të keq, pati librin viktimë të parë.