Tronditëse ka qenë pamja e sotme në seancën për caktimin e masës së sigurisë për katër personat që kanë përfunduar pas hekurave për 3.4 milionë euro të zbuluara në dy mjete “Toyota” në Portin e Durrësit.
Gruaja e Agim Çekës, shoferit të kamionit me të cilin po transportoheshin paratë ka shpërthyer në lot, ndërsa ka deklaruar se burri i saj nuk ka asnjë lidhje me lekët.
“BalkanWeb” raportoi se gruaja që kishte ardhur në Gjykatën e Durrësit bashkë me vajzën, është lejuar të hynte në seancë por më pas sapo ka parë të shoqin 61-vjeçar pas kafazit të xhamit është shkrehur në vaj dhe është nxjerrë jashtë.
Në videon e filmuar nga gazetarja Haxhiaj gruaja dëgjohet duke thënë se vetëm Zoti mund t’i ndihmojë pasi ata nuk kanë para.
“Burri im ka qenë i papunë. Kishte një muaj që kishte filluar. E shkreta unë ç’më gjeti! Ku do gjej para ta nxjerr nga burgu?! Burri im nuk ka lidhje me lekët. I thotë pronari ik atje, hajde këtu atë bën. Ku do vemi ne? Hajdeni shikoni shtëpinë, ne jemi copë-copë, s’kemi ça të hamë. Le të kapin ata që e kanë bërë këtë punë. Kush do ta nxjerrë tani nga burgu burrin plak. Ne s’kemi lekë të hamë bukë jo ta nxjerrim nga burgu”, tha bashkëshortja e Agim Çekës i akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe për “pastrim parash”.