Shoqata Shqiptare e Bankave organizoi të premten një forum për edukimin financiar. Në fjalën e tij, kryetari i Shoqatës së Bankave, Silvio Pedrazzi, theksoi se edukimi financiar është një nga themelet për një sistem financiar të shëndetshëm dhe për një prosperitet ekonomik afatgjatë.
Një sistem financiar i qëndrueshëm mbështetet në dy kolona: institucione financiare të shëndetshme dhe konkurruese dhe te njohuritë dhe përfshirja financiare të klientëve të këtyre institucioneve. Shoqata Shqiptare e Bankave e mbështetet edukimin financiar si një faktor kyç për zhvillimin e sistemit financiar dhe për një rritje ekonomike sa më gjithëpërfshirëse.
Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, nënvizoi se edukimi financiar është thelbësor për mirëqenien e një vendi, por edhe një parakusht themelor për përmbushjen e misionit të një banke qendrore.
Gjatë forumit, shoqatat përfaqësuese të institucioneve financiare në vend nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, për krijimin e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar.