Një tjetër segment i rëndësishëm do të bllokohet pasi do t’i nënshtrohet ndërhyrjes për përmirësimin e infrastrukturës. Auoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se pas përfundimit të punimeve dhe hapjes së plotë të autostradës Tiranë-Durrës ARRSH do të nisë të hënën ndërhyrjen në një tjetër segment shumë problematik, Degëzimi Vorë (shinat e trenit) – Fabrika e Tullave (rruga e vjetër).
Ndryshe nga punimet në autostradën Tiranë-Durrës, ndërhyrja në këtë segment është pa afat. Ato që duhet të devijojnë qarkullimin janë mjetet e rënda dhe autobusët që nuk mund të përdorin këtë aks.
DEKLARATË E PËRBASHKËT PËR MEDIAN AUTORITETI RRUGOR SHQIPTAR- POLICIA E QARKULLIMIT RRUGOR
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë median dhe opinionin publik se ditën e hënën, në orën 06:00 të mëngjesit do të fillojë ndërhyrja për rehabilitimin të segmentit rrugor Degëzimi Vorë (shinat e trenit) – Fabrika e Tullave (rruga e vjetër) në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore.
ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të rehabilitimit në këtë aks rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur si dhe udhëzimet e policisë rrugore në terren.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
Bllokimi i askit rrugor dhe devijimi i trafikut do të filloje në orën 06:00 të ditës së hënë datë 02/07/2018. ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor ju kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon:
1. Trafiku i mjeteve të rënda që vijnë nga Veriu në drejtim të doganës së Tiranës do të vijojnë normalisht nga Fushë Kruja në Doganë dhe do të kthehen përsëri nga i njëjti segment rrugor dhe do të vijojnë sipas destinacionit përkatës.
2. Trafiku i mjeteve të rënda nga Veriu në drejtim të portit të Durrësit dhe Jug do të përdorin segmentin Fushë Krujë-Kamëz-rreth rrotullimi “Casa Italia” – Durrës.
3. Trafiku i mjeteve të rënda nga Jugu, porti i Durrësit, Elbasani në drejtim të veriut do të përdorin segmentin rreth rrotullimi “Casa Italia”- Kamëz-Fushë Krujë.
4. Drejtuesit e autoveturave do të vijojnë te normalisht drejt destinacioneve respektive duke përdorur urën e Vorës.