Dominojnë vendimet e gjykatave për pronat dhe largimet nga puna
867.4 milionë lekë është vlera e detyrimeve të prapambetura të krijuara nga institucionet shtetërore në 3-mujorin e parë të vitit. Të dhënat raportohen nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, sipas deklarimeve të ministrive, ndërkohë që së bashku me detyrimet e akumuluara nga janari i vitit 2016 shuma totale arrin në 4.18 miliardë lekë.
Vendimet gjyqësore për largime nga puna, vendimet e gjykatës së Hagës në favor të ish-pronarëve, por edhe shlyerja e detyrimeve ndaj biznesit janë zërat kryesorë ku janë përqendruar borxhet e krijuara rishtazi.
Referuar të dhënave për 3-mujorin, detyrimet më të mëdha të pashlyera i takojnë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila kryeson listën me 535.2 milionë lekë, ku shifra më e madhe i takon mirëmbajtjes rrugore.
Për këtë dikaster, një vend të rëndësishëm në krijimin e borxhit zënë vendimet gjyqësore, me rreth 195 milion lekë. Shifra të larta në këtë drejtim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna raporton Ministria e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me respektivisht 372.9 dhe 33.2 milionë lekë.
Fatura e pashlyer për vendimet e ish-pronarëve shkon në 76.6 milion lekë. Ndërkohë që, në drejtim të rimbursimit të TVSH-së raportohet se nuk ka detyrime të krijuara rishtazi, ndërkohë që prej 2016-ës shuma e pashlyer shkon në 195.3 milionë lekë.
Në mars të këtij viti, Fondi Monetar Ndërkombëtar i bëri thirrje për konsolidim të financave publike, duke kërkuar edhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.