Mjekët ligjorë kanë nxjerrë ekspertizën paraprake për vdekjen shoferit të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke konfirmuar se ka kryer vetëvrasje.
Ekspertët e kriminalistikës, pasi kanë analizuar provat e mbledhura në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri, në dorën e djathtë të 31 vjeçarit Shkelzen Qordja.
Sipas ekspertëve, vdekja ka ardhur nga një plumb në anën e djathtë të kokës në lobin temporal dhe se në duart e viktimës janë gjetur mbetje baruti.
Po sipas tyre, edhe gjurmët e gishtave të gjetura në armën tip automatike “MP5”, përputhen plotësisht me ato të 31 vjeçarit.
Siç është bërë e njohur, në vendin e ngjarjes ka pasur qitje të disa plumbave—burime të ndryshme mediatike flasin se janë gjetur të paktën gjashtë gëzhoja, ndërsa prokuroria shprehet për tre gëzhoja. Kjo do të thotë se qitja nga arma ka shkaktuar zhurmë që duhet të ishte dëgjuar si brenda territorit të Gardës ashtu edhe tek kalimtarët dhe banorët pranë Gardës.
Më tej, pasi jep një fakt, i cili mund të çojë në hipotezën e një vrasjeje të mundshme, se në vendngjarje u gjetën të paktën tre gëzhoja, njoftimi menjëherë përfshin një detaj për ta bërë këtë fakt të përputhshëm me variantin e vetëvrasjes, duke theksuar se arma ka qenë në pozicionin “qitje me breshëri”: “Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip ‘MP5’, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin ‘qitje breshëri’.”
Ndërkaq, në pyetje janë marrë edhe familjarët dhe të afërmit e të riut, të cilët kanë pohuar se nuk kanë parë ndonjë sjellje të dyshimtë tek ai.
31-vjeçari Shkëlzen Qordja u gjet i pajetë nga kolegët e tij brenda në makinë në garazhin e Gardës së Republikës.