DSIK-ja nuk është shërbim sekret, por po sillet si e tillë

E mërkurë, 11 July 2018 10:05

Nga Kastriot Dervishi

Reforma në drejtësi ka përfshirë brenda saj disa institucione verifikuese, të cilat sjellin të dhëna për gjyqtarët dhe prokurorët. Aktet administrative po dalin si akte kushtetuese, ndërsa institucionet po ngatërrojnë detyrat e ngarkuara nga ligji. Një ndër këta institucione të përfshira në reformën në drejtësi është edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në varësi të kryeministrit. Ndonëse nuk është agjenci e shërbimeve sekrete, po vërejmë se DSIK raporton para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) se filan gjyqtar është takuar me këtë apo atë person të inkriminuar, etj, duke na u vetëprezantuar si një shërbim i ri sekret. Të vetmet institucioneve që kushtetuta e ligji i ngarkon me kryerjen e detyrave të fshehta (ndjekje operative, përgjim telefonash, etj) janë SHISH-i, Ministria e Brendshme (Policia dhe kontrolli i brendshëm), Ministria e Mbrojtjes (SHIU) dhe Prokuroria. Asnjë organ tjetër shtetëror nuk mund të kryejë detyra të fshehta. Lesheliaja legjislative e Shqipërisë, ku ligjet përplasen me njëri-tjetrin, na ka kthyer në një prej shteteve më qesharakë të rajonit, ku ligjet shihen sipas planit, por kurrë sipas përmbajtjes. Ligji nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ka dhënë të drejta verifikuese DSIK-së, në kundërshtim me ligjin organik kësaj të fundit. Veprimtaria e DSIK-së mbështetet në ligjin nr.8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, ndryshuar me ligjin nr.9541, datë 22.5.2006". Detyra kryesore e DSIK-së është të kontrollojë përdorimin, ruajtjen dhe deklasifikimin e informacionit të klasifikuar sekret shtetëror dhe aspak të kryejë detyra operative.  DSIK-ja nuk mund të ushtrojë detyra të tjera. Nuk mund të bëhet as agjenci sekrete, as nuk mund të bëjë ekspertizë dokumentesh (sikurse po e bën në shkelje të ligjit të arkivave për rastet e asgjësimit të dokumenteve të klasifikuara). Në këtë kuptim, DSIK-ja duhet të sjellë para KPK-së informacione të llojit në kanë pasur apo jo gjyqtarët e prokurorët certifikatë sigurie, kanë pasur probleme me të, kanë ekspozuar sekretin shtetëror, etj, por kurrsesi nuk janë normale informacione me karakter operativ, sepse ato janë në kompetencën e agjencive përkatëse. Teksa media është mbushur me informacione të ardhura si rrjedhje e sekretit hetimor, nuk asnjë rast që DSIK të ketë raportuar ndonjë prokuror për këto shkelje. Pra DSIK ka dështuar në detyrën nr.1 të saj, e tanimë po hallakatet kot më kot në drejtime të tjera. Neni 25 i ligjit nr.8457, i ka vendosur shumë të qarta detyrat që ka DSIK (ekstrakt):

1-Harton politika, programe e procedura për sigurimin e informacionit të klasifikuar dhe kontrollon zbatimin e tyre prej institucioneve.

2-Mbikëqyr rregullat e sigurimit fizik, ushtarak dhe elektronik të informacionit të klasifikuar, si dhe të anës teknike të marrjes, përpunimit, administrimit dhe arkivimit të tyre.

3-Harton procedura për parimet e klasifikimit dhe të shenjëzimit, trajnimit dhe edukimit profesional dhe harton udhëzime për klasifikimin e deklasifikimin.

4-Bën certifikimin e personelit, i cili do të administrojë informacionin e klasifikuar.

5-Informon të paktën një herë në gjashtë muaj kryeministrin për çështjet e mësipërme.

6-I propozon Këshillit të Ministrave akte nënligjore për çështjet që lidhen me ruajtjen e informacionit të klasifikuar.

7-Shqyrton kërkesa për autoritet klasifikues nga institucione që nuk e kanë atë, dhe, nëse është e përshtatshme, ia propozon për miratim kryeministrit.

DSIK-ja duhet t’i përmbahet parimeve të nenit 25 pavarësisht tekave administrative që mund t’i vijë vërdallë.

Që DSIK-ja të kryejë ato detyra që po bën tani me reformën në drejtësi, duhet të ndryshojë tërësisht nenin 25 të saj. Përndryshe me veprime të paligjshme jashtë natyrës së ligjit vetëm sa dobëson besimin se jemi përpara një reforme për drejtësi, që me sa shihet as bëhet fjalë.

Login to post comments