Mes të shoqëruarve nga policia për vrasjen e dyfishtë në Shkodër, është dhe ish-burri i Silvana Ndocit. 25-vjeçarja ishte divorcuar me të para se të bashkëjetonte me ish-policin Boran Bërçama. Policia deri tani ende nuk ka një pistë të mirëfilltë hetimi: Larje hesapesh apo zhdukje të dëshmitarëve.
Ish-efektivi i policisë dhe bashkëjetuesja e tij u ekzekutuan mëngjesin e kësaj të diele brenda makinës së tyre poshtë shtëpisë. Në makinë ndodhej dhe fëmija i mitur, i cili nuk u prek nga plumbat dhe ndodhet shëndoshë e mirë nën kujdesin e mjekëve në spital.
“Në momentin e ngjarjes fëmija ka qenë në gjumë në sediljen e pasme të makinës tip “Benz”, me targa AA 006 HA. Fëmija u gjet në kraharorin e viktimës, në sediljen e parë të pasagjerit, i tëri i gjakosur. Fillimisht menduan tmerrin, që plumbat mund ta kishin prekur dhe atë”, ka treguar një burim nga policia e Shkodrës, për Gazetën Shqiptare.
Ishin fqinjët ata që njoftuan policinë, ndërsa thonë se nuk kanë dëgjuar asnjë krismë. Hetimet e deritanishme tregojnë se autorët, të paktën dy, kanë qëlluar me armë automatik, e tipit “Scorpion” nga afër në drejtim të ish-policit dhe bashkëjetueses së tij. Policia mblodhi brenda dhe jashtë makinës më shumë se 20 gëzhoja.
Pak para mesditës të së dielës policia gjeti një makinë të djegur në lagjen Dobraç të Shkodrës, në dalje të Bypass-it. Në njoftimin zyrtar thuhet se paraprakisht dyshohet se mjeti të jetë përdorur nga autorët e ekzekutimit të Boran Berçamës dhe Silvi Ndocit. Brenda tij, policia zbuloi dhe një armë zjarri automatike.
Ish-polici Bërcama kishte dhënë dorëheqjen nga patrulla e policisë 6 muaj më parë, atëherë kur ndodhej me shërbim në Fushë Arrëz.
Por, ai nuk ka dhënë asnjë argument se përse po e linte policinë. Më herët, Berhan Bërcama ka shërbyer si agjent krimesh në qytetin e Shkodrës, pikërisht në kulmin e përplasjeve të dy grupeve kriminale me njëra-tjetrën.