Investimet e bankave – Rriten instrumentet me rrezik të ulët

Hënë, 16 July 2018 08:16

Sistemi bankar i vendit ngelet i orientuar më shumë drejt investimeve me rrezik të ulët, ndërsa kreditimi ngelet në rënie. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, rritja e aktiveve të sistemit bankar po mbështetet kryesisht nga vendosjet në bankat e tjera.

Në fund të tremujorit të parë të vitit, vendosjet me bankat kishin vlerën e 261 miliardë lekëve, në rritje me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vendosjet konsistojnë në investimin e fondeve në depozita pranë bankave të tjera, sidomos jashtë vendit.
Zhvillimet në krahun e detyrimeve të bilancit të bankave e shpjegojnë në një pjesë të madhe këtë tendencë. Në tre vitet e fundit, rritja e depozitave ka ardhur kryesisht në monedhën euro. Në mungesë të një kërkese të mjaftueshme për kredi të tregun e brendshëm, bankat i kanë vendosur këto fonde në bankat e huaja.
Sipas Shoqatës së Bankave, në fund të marsit 2018 stoku i kredisë dhënë nga sistemi bankar arriti në 561 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, portofoli i kredisë është në rënie me 33 miliardë lekë ose rreth 6%. Duhet thënë sidoqoftë se në tkurrjen e portofolit të kredisë një ndikim të konsiderueshëm ka pasur procesi i fshirjes së kredive të humbura. Pavarësisht nga kjo, kreditimi ende është i zbehtë, për shkak të pasigurisë nga krahu i kërkesës, por, edhe të një qëndrimi konservator të bankave, sidomos në segmentin e biznesit të madh.

Modifikuar më Hënë, 16 July 2018 19:30
Login to post comments