Konsumi në Britani është rritur me ritmin më të shpejtë në 1 dekadë gjatë tremujorit të dytë, pavarësisht një rënieje në Qershor, duke i dhënë prova Bankës së Anglisë se konsumatorët kanë lënë pas nisjen e ngadaltë të vitit. Volumi i shitjeve me pakicë vetëm për Qershorin ra me 0.5%.
Shitjet për tremujorin e dytë, u rritën me 2.1% krahasuar me të parin, që është rritja më e madhe që prej fillimit të vitit 2004. Megjithatë, tregjet u fokusuan te të dhënat e dobëta për Qershorin, gjë që solli rënien e sterlinës poshtë 1.3 dollarëve për të parën herë që prej Shtatorit 2017.
Sipas analistëve, një rritje e normave të interesit në muajin Gusht pritet ende. Shumica e analistëve të anketuar nga Reuters në nisje të javës prisnin që Banka e Anglisë të rrisë normën bazë të interesit në datën 2 Gusht, për të parën herë që prej krizës financiare. Megjithatë, rënia e konsumit në Qershor, që ndjek rritjen e ngadaltë të pagave dhe inflacionit, ka shtuar shqetësimet e investitorëve se Banka e Anglisë do të veprojë kundër pritshmërive.
Konsumi dhe ekonomia britanike në total, u ngadalësuan në tre muajt e parë të 2018-ës, për shkak të motit të pazakontë dhe inflacionit të lartë.
Zyra e Statistikave në Londër deklaroi se të dhënat e forta për sektorin e shitjeve me pakicë, që përbën për 5% të ekonomisë, do t’i shtojnë rritjes së PBB 0.1% në tremujorin e dytë. Më herët gjatë muajit guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, tha se ekonomia po ecën paralelisht me projeksionet, duke shtuar pritshmëritë e tregjeve për vazhdimin e ciklit tkurrës monetar në Gusht. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike e Britanisë këtë vit, ka gjasa të jetë në normën më të ulët që prej vitit 2012, me 1.4%.
Shitësit online me pakicë si ASOS, kanë raportuar rritje të madhe të shitjeve. Megjithatë, shitës tradicionalë si Marks & Spencer, kanë hasur vështirësi, për shkak se moti i ngrohtë ka larguar blerësit.