Bëni kujdes çfarë konsumoni, gjobiten tre dyqane mishi në Berat

Premte, 20 July 2018 15:39

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të masave për disiplinimin e therjeve dhe të tregtimit të mishit në funksion të sigurisë ushqimore dhe në kuadër të masave të përforcuara gjatë sezonit turistik ka gjobitur tre subjekte në qarkun e Beratit që tregtonin mish në mungesë të dokumentacionit shoqërues veterinar.

Gjatë inspektimit ky autoritet konstatoi kushtet e rënda higjieno-sanitare në të cilën ushtrohej aktiviteti nga këto subjekte si dhe në mungesë të dokumentacionit përkatës, vula dhe certifikata veterinare e produktit.

Një subjekt në Kuçovë dhe dy subjekte në Berat, me veprimtari tregtim mishi të cilët tregtonin mish keci në mungesë të vulës dhe certifikatës veterinare.

Për shkeljet e mësipërme u morën masat administrative bllokim të produktit 22.3 kg mish keci si dhe masa administrative me gjobë në vlerën 100 mijë lekë për secilin nga subjektet.

"Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm në blerjen e produkteve shtazore duke kërkuar informacione në njësitë e tregtimit të mishit që të jetë i vulosur, i shoqëruar me certifikatë veterinare, kuponin tatimor, si mjet për sigurinë e gjurmueshmërisë së produktit", thuhet në një njoftim zyrtar të këtij autoriteti.

Modifikuar më Premte, 20 July 2018 18:27
Login to post comments