Diskriminimi i LGBT i kushton shoqërisë të paktën 200 mln € në vit

Diel, 22 July 2018 14:40

Diskriminimi i komunitetit LGBTI i kushton shoqërisë shqiptare një humbje ndërmjet 200-800 milionë euro në vit.

Të paktën kështu pretendojnë  përfaqësuesit e këtij komuniteti, që as në Shqipëri, sikurse dhe në shumë vende të tjera, nuk është shumë i integruar në  ekonomi. Edhe gjatë 2018-ës nuk vërehet ndonjë ndryshim pozitiv lidhur me aksesin në tregun e punës së kësaj kategorie, ende nuk ka një shifër të saktë për numrin e tyre dhe as për ata të cilët janë të punësuar apo të vetëpunësuar.

Sipas një studimi të kryer në vitin 2017,  nga agjencia e punësimit “HeadHunter” raportohet për një  përqindje shumë të ulët dhe hapa shumë të vegjël përpara krahasuar me  një vit më parë. Kështu, gjatë 2017-ës, kur është realizuar edhe ky studim, vetëm 4% e kompanive raportuan se i kanë të përmendur në mënyrë specifike punëkërkuesit LGTB në politikat e tyre rekrutuese. Ky studim është bazuar mbi të dhënat e 109 kompanive.

Ndër të tjera në raport u konstatua se vetëm 25% e këtyre kompanive kanë politika që përfshijnë këtë komunitet. Avokati dhe aktivisti i të drejtave civile, Altin Hazizaj shprehet se kur shoqëritë janë çliruar nga komplekset e diskriminimit, ekonomitë janë rritur dhe fuqizuar nga 1-3% të GDP-së.

A janë të diskriminuar në aspektin ekonomik, personat që i përkasin komunitetit LGBT në Shqipëri?

Komuniteti LGBTI është një komunitet divers në përmbajtje ndaj grupimeve të ndryshme që kanë situata apo probleme të ndryshme në aspektin ekonomik. Nëse shohim personat trans, është tepër e lehtë të kuptosh që ata janë tërësisht të përjashtuar nga aksesi në tregun e punës, nga avancimi në karrierë, nga shkolla etj, për shkak sepse që në fëmijëri ata e gjejnë botën ku jetojnë të papërshtatshme me nevojat e tyre, shoqëria dhe familjet ndaj tyre janë tërësisht përjashtuese dhe diskriminuese dhe si rrjedhojë, pjesa më e madhe e personave trans në vend punon në industrinë e seksit, që është jo vetëm e dënueshme nga ligji, por nuk u jep atyre mundësi që të krijojnë një jetë ku mund të jetojnë në dinjitet dhe të mund të kontribuojnë në ekonominë dhe zhvillimin e vendit.

Mungesa e politikave specifike mbrojtëse arsimore, të tregut të punës dhe të trajnimit profesional apo e programeve të nxitjes së punësimit të rregullt të personave transgjinorë, është edhe një tregues i mungesës së respektit dhe diskriminimit që shteti, por edhe biznesi ka ndaj personave LGBTI në tërësi dhe transgjinorëve në veçanti.

Ndërsa përsa i përket situatës së punësimit dhe pjesëmarrjes në ekonomi për personat gej, lezbike dhe biseksualë, ajo është më ndryshe, por pa diskutim që është një situatë ku diskriminimi mbizotëron. Ka një pranim të heshtur të politikës “mos pyet dhe mos trego” (don’t ask, don’t tell) në shumë vende pune, si në institucione shtetërore ashtu edhe në ato private.

Sa të vështirë e kanë për t’u punësuar?

Shumica e personave LGB janë të punësuar dhe ka plot raste suksesi të tyre në media, jurisprudencë, art, politikën e jashtme, shërbimet sociale, biznes etj. Por siç e thashë edhe më parë, shumë pak prej tyre e tregojnë apo flasin haptazi për orientimin e tyre seksual apo identitetin gjinor, kjo për shkak të frikës së pushimit nga puna, të diskriminimit, të talljes apo thashethemeve në vendin e punës, etj.

Një pjesë e mirë e të rinjve e të rejave LGB kanë bizneset e tyre, por kuptohet që ato nuk prezantohen si të tilla, për shkak sepse mund të paragjykohen etj. Më thënë të drejtën, duhet të shqetësohemi në lidhje me mosmbështetjen e ekonomisë “ROZË” (Pink) pasi shumë studime kanë treguar se kur shoqëritë janë çliruar nga komplekset që ato kanë në lidhje me OSIGJ, ekonomitë janë rritur dhe fuqizuar nga 1-3% të GDP-së.

Në terma absolutë kjo do të thotë që diskriminimi i komunitetit LGBTI i kushton shoqërisë shqiptare ndërmjet 200-800 milionë euro në vit. Nëse ne do të zbatonim politikat e duhura ekonomike, sociale dhe arsimore, mendoni se cfarë kontributi ekonomik dhe social mund të  sillnin të gjithë personat LGBTI në Shqipëri dhe sa do të zhvillohej ekonomia shqiptare, ndër të tjera, po të mbështeste edhe ekonominë PINK (rozë).

Mund të sjellë një ose disa shembuj në lidhje me këtë. Për shembull vetëm ”Dolce & Gabbana” sjellin në ekonominë e Italisë thuajse 1 miliard euro të ardhura dhe punësojnë mbi 3000 veta. Këtë ekonomi të shkallës fare mirë mund ta ndërtojë edhe një i ri apo e re shqiptare që i përket komunitetit LGBTI. Askush nuk e di asnjëherë se kush ka për të qenë talenti i ardhshëm që do të mbizotërojë tregun global, ndaj edhe shoqëritë dhe shtetet përpiqen që të krijojnë mundësi të barabarta zhvillimi për këdo, pasi të gjithë përfitojmë nga zhvillimi dhe suksesi qoftë edhe i një individi të vetëm.

Kur të çlirohemi nga prangat e këtij mentaliteti absurd dhe paragjykues, atëherë do të mund të shohim sesa energji mund të çlirojmë ne si individë dhe si shtet për zhvillimin tonë dhe do të shohim sesa pak të rinj e të reja do të duan të largohen nga ky vend.

Sa janë të integruar ne sektorin ekonomik? A kanë ngritur ata lokale apo biznese?

Me përjashtim të personave trans, pjesa më e madhe e personave LGBI janë të integruar në tregun e punës dhe kontribuojnë si çdo qytetar tjetër në ekonominë e vendit, por gjithnjë të fshehur. Shumë pak persona nga komuniteti kanë patur kurajon të dalin publikisht e të thonë që janë LGBTI.

Rasti më pozitiv dhe më i njohur ështe ai i drejtuesit të ”Headhunters” në Shqipëri, Elton Ilirjani, i cili foli hapur për orientimin e tij seksual, por nga ana tjetër në javët në vazhdim, pas deklaratës, ai u kërcënua, denigrua etj, që tregon, siç e thashë edhe më sipër, se jemi ende shumë larg respektit dhe pranimit të të drejtave të barabarta për personat LGBTI.

Për shembull, përsa i përket lokaleve, Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka një bar apo klub gay. Ka ekzistuar një para dy vjetësh dhe nuk mbeti gazetar që nuk vajti fshehurazi për të parë se çfarë ndodhte në atë lokal, mbase duke menduar se ishte vend orgjirash e seksi on mass!

Kur vajtën dhe panë se personat LGBTI, si kushdo tjetër, shkonin për të pirë një gotë, për të kërcyer e mbi të gjitha, për të qenë në një mjedis të sigurt që i pranonte siç ishin, gazetarët e mërzitur nisën të shkruanin thashetheme se kush ishte gay e kush jo! Ky lloj niveli i ulët dhe vulgar i të bërit “lajm” mbase i shtyu djemtë që kishin hapur lokalin që ta mbyllnin atë dhe që prej asaj kohë nuk ka më lokal gay në Tiranë e kuptohet as në Shqipëri.

 A ka ndonjë numër se sa aktivitetete janë nën administrimin e LGBT në Tiranë?

Jo nuk ka dhe në fakt do të ishte me vlerë që të dihej sesa të ardhura sjell në ekonominë e vendit sot që flasim komuniteti LGBTI në Shqipëri. Këto lloj studimesh mund t’i ndërmarrë besoj si INSTAT ashtu edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pasi paraqesin interes për të kuptuar ekonominë PINK si është dhe si mund të zhvillohet në të ardhmen.

Çfarë duhet bërë më shumë për këtë komunitet sipas jush në aspektin ekonomik?

Shqipëria mund të bëjë pafund jo vetëm për ekonominë PINK, por për fuqizimin ekonomik të çdo qytetari. Në lidhje me ekonominë PINK, ndërhyrja e parë duhet të jetë garantimi që asnjë person në marrëdhëniet e punës të mos ndjehet apo të jetë viktimë e diskriminimit! Qeveria e ka për detyrë t’u thotë qytetarëve të saj, kudo ku ata janë, që është OK të jesh LGBTI dhe që shteti i mbron ata si çdo qytetar tjetër.

Ky normalizim do të sillte edhe më shumë besim tek vetë komuniteti për ta jetuar jetën e tyre pa frikë se janë gey, lezbike, biseksualë, transgjinorë apo interseks. Në një rrafsh më të ngushtë, bashkitë kryesore duhet të nxisin dhe mbështesin ekonominë PINK, të bareve, restoranteve, teatrove, kompanive të udhetimit, hoteleve, qendrave të shërbimeve, etj, LGBTI, ose miqësore për ta, pasi ato krijojnë një klimë pozitive jo vetëm brenda vendit, por edhe për turistët e huaj që vijnë në Shqipëri.

Krijimi i dhomave të vogla të biznesit PINK po ashtu mund të paraqesë interes për Ministrinë e Ekonomisë për t’i nxitur bizneset që të organizohen. E fundit, vetë bizneset dhe drejtuesit e tyre duhet ta kuptojnë që ekonomia PINK i fuqizon dhe rrit të ardhurat e tyre

Paragjykimi dhe diskriminimi në shërbime

Bazuar në studimin “shërbimet vendore dhe komuniteti LGBT në Shqipëri” rezulton se qëndrimet negative përkundrejt personave LGBT ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e ofrimit të shërbimeve në nivel vendor.

Rreth 9% e zyrtarëve publikë vendorë deklarojnë se kanë qëndrime negative (pra nuk duan) që t’u ofrojnë shërbime personave LGBT ndërsa 15% të tjerë janë të pasigurtë në këtë drejtim.Refuzimi i shërbimit 5%, dhuna verbale 7% dhe fizike 3%.

Gratë dhe vajzat në pozicione  publike janë më të hapura dhe mbajnë qëndrim më pozitiv përkundrejt personave LGBT krahasuar me burrat. Studimi arriti të identifikonte se 32%e të intervistuarve mendonin se personat LGBT janë më inferiorë se pjesa tjetër e qytetarëve; 24% e tyre mendojnë se personat LGBT nuk duhet të punësohen në administratën publike; 26% e të pyeturve thonë se personat LGBT nuk janë qytetarë si gjithë të tjerët; dhe së fundmi 10% e zyrtarëve mendojnë se personat LGBT duhet të kenë më pak të drejta se të tjerët. /Scan

Login to post comments