Zhvlerësimi i euros ndaj lekut mund ta detyrojë qeverinë të shkurtojë të ardhurat e buxhetit. Top Channel ka mësuar se Këshilli i Ministrave pritet të miratojë në mbledhjen e radhës një akt normativ, për të ndryshuar buxhetin e shtetit në mes të vitit.
Burime nga qeveria i thanë Top Channel se aktualisht po diskutohen dy skenarë. I pari është ai që ul njëkohësisht të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit me 3 miliardë lekë krahasuar me buxhetin e miratuar në fillim të vitit. Ndërsa varianti i dytë, nuk parashikon shkurtime, por vetëm rishpërndan fondin e investimeve publike nga projektet me ecuri të ngadaltë zbatimi tek ato që kanë një realizim më të mirë.
Sipas Ministrisë së Financave, vetëm për gjysmën e parë të vitit, arka e shtetit ka humbur rreth 3.5 miliardë lekë nga rënia e euros ndaj lekut. Pjesa më e madhe e të ardhurave buxhetore vilen në doganë, nga taksimi I importeve që blihen në tregjet e Bashkimit Europian. Por rënia e euros ul vlerën në lekë me të cilën zhdoganohen këto importe, duke dëmtuar të ardhurat veçanërisht ato që mblidhen nga tatimi mbi vlerën e shtuar.
Në të dy skenarët, ndryshimi i buxhetit nuk parashikon rritje të huamarrjes. Në variantin e parë shkurtimi i të ardhurave me 3 miliardë lekë shoqërohet me shkurtim në të njëjtën masë të shpenzimeve, pa rritur shifrën e deficitit dhe borxhit publik. Ndërsa në variantin e dytë, nuk ndryshon asnjë nga parametrat e buxhetit, por vetëm rishpëndahen fondet e investimeve, duke I transferuar paratë nga projektet që kanë vonesa tek ato me realizim të lartë.
Burime thanë për Top Channel se ende nuk është vendosur përfundimisht se cili nga të dy variantet do të miratohet. Por e sigurt është se buxheti I shtetit nuk do të shpëtojë as këtë vit, nga ndryshimi me akt normativ, një procedurë e shumëdebatuar, e cila sipas kushtetutës parashikohet vetëm për rastet e emergjencave. TCH