Të tjera dëshmi tronditëse po dalin pas vdekjes së të paktën 60 personave nga flakët që shkatërruan edhe qytetin bregdetar të Matit, në lindje të Athinës. Një dëshmitare, zbulon momentin tronditës të vdekjes së një vajze të re, e cila u hodh drejt vdekjes për të shmangur zjarrin.
Gruaja e quajtur, Maria Patsiou zbulon momentet kur një vajzë e re u hodh nga buza e një shkëmbi, për të shmangur zjarrin që po afrohej.
Dëshmitarja tha se vajza 13-vjeçare kërceu duke menduar se ajo do të arrinte në det. Në vend të kësaj, ajo vdiq në shkëmbinj. Duke folur për faqen greke neësit.gr, Patsiou tha se dëgjoi një britmë dhe më pas e pa vajzën duke kërcyer. Kur ajo iu afrua, vajza kishte vdekur gjatë përplasjes, ndërkohë që ishte e mbuluar me djegie. “Ishte si 11 shtatori. Më kujtoi njerëzit që kërcenin nga Kullat Binjake “, tha Patsiou.
Përveç dhjetëra të vdekurve në vende të ndryshme të periferisë së Athinës për shkak të zjarreve masive, ekipet e shpëtimit kanë rrëfyer momentet tmerruese kur gjetën 26 persona të djegur të gjallë në një restorant.
Sipas mediave greke pjesa më e madhe e tyre ishin familjarë, dhe akoma më prekës është fakti që disa prej tyre janë gjetur të përqafuar me njëri-tjetrin në përpjekjet e fundit të dëshpëruara për shpëtim.