Vere se kjo e këtij viti zor se mbahet mend. Reshjet e shiut të shoqëruara me breshër dhe stuhi pasditen e së hënës kanë prishur totalisht të mbjellat bujqësore.
Në momentin kur prodhimet ishin në kulmin e tyre një breshëri diametrit 3-5 cm prishi çdo gjë duke nisur nga kulturat bujqësore, pemtari e vreshtari, por më të dëmtuara janë perimet, mollët, arrët dhe rrushi. Tashme fermerët ndjehen të rrënuar, ndërsa vlera e dëmit është relativisht e lartë. Fermerët shprehen, se te ardhurat nga bujqësia janë e vetmja mënyrë që ata të mbijetojnë. Ata kanë kërkuar që të evidentohen dëmet në terren dhe te behet kompensimi i tyre nga strukturat përkatëse të drejtorisë së bujqësisë së Elbasanit.
Në të njëjtën linjë me fermerët shprehet edhe kryeplaku i fshatit, ndërsa thekson faktin se një breshër të tillë nuk e kishte parë ndonjëherë të binte.
Ndërsa administratori i njësisë administrative Labinot Mal Ruzhdi Pisha tha se pushteti lokal do të ndjekë të gjitha procedurat e nevojshme për të kompletuar dosjet sipas ligjit dhe do të bëjë maksimumin për të dëmshpërblyer fermerët.
Kjo situatë e pazakontë për periudhën e verës, sipas banoreve të zonës do të ketë pasoja për të mbjellat edhe në vitet që do vijnë. Ndërkaq dëme më të vogla nga moti i keq i shoqëruar me stuhi, janë shkaktuar edhe në mjaft fshatra të tjerë të Qarkut të Elbasanit. Kujtojmë se edhe në muajin qershor Elbasani u prek nga një breshër I pazakontë, ndërsa fermerët nuk përfituan asnjë ndihmë nga shteti.