Meta nxit të rinjtë për kauzën e dhurimit të gjakut

E Enjte, 26 July 2018 22:33

Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi një takim me drejtuesit e tre forumeve rinore FRESSH, FRPD dhe LRI.

Qëllimi i këtij takimi ishte nxitja e bashkëpunimit me të rinjtë e këtyre forumeve rinore për “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”, një nismë e Presidentit të Republikës, si dhe ndërgjegjësimi i tyre për këtë nismë.

Presidenti Meta shprehu falenderimin dhe kënaqësinë që të rinjtë e forumeve të partive politike janë bashkuar për një çështje jashtëzakonisht humane siç është dhurimi i gjakut.

“Dëshiroj t’ju falënderoj përzemërsisht që ju, tre forumet rinore të partive kryesore politike, u bëtë së bashku pjesë e ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’, duke treguar një ndjenjë të lartë përgjegjshmërie sociale dhe humanizmi. Është shumë e rëndësishme që objektivat e ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’ t’u bëhen të ditura të gjithë të rinjve tanë, dhe jo vetëm të rinjve të forumeve politike, por edhe atyre të shoqatave studentore, të shoqatave rinore, që të gjithë së bashku të ndërmarrim një fushatë ndërgjegjësimi për rëndësinë e dhurimit të gjakut”, - tha Presidenti Meta.

“Të dhurosh gjak është një akt humanizmi dhe solidariteti me ata që kanë nevojë jetike për të, siç janë të sëmurët talasemikë, të sëmurët kronikë, ata që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale apo që pësojnë aksidente. Besoj që ju do të luani një rol thelbësor për këtë kauzë, prandaj ju bëj një apel të drejpërdrejtë , që t’i bashkohen kësaj nisme duke dhuruar gjak, por edhe duke u bërë dhurues të rregullt. Ky apel bëhet më i fortë, veçanërisht në këtë periudhë të stinës së verës, kur rezervat e gjakut pakësohen për shkak të rënies së numrit të dhuruesve”, - shtoi Presidenti Meta.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës u shpreh se shoqëria jonë duhet të nxisë vullnetarizmin dhe solidaritetin në dhurimin e gjakut dhe se të rinjtë mund të sjellin një ndryshim të madh për suksesin e kësaj kauze humane.

Login to post comments