Performanca e dobët e të ardhurave buxhetore e ka detyruar qeverinë që të rishikojë me ulje buxhetin për vitin 2018, në mes të tij, pas disa vitesh radhazi kur ai rishikohej në rritje për shkak të realizimit të planit. Sipas aktit normativ për disa ndryshime në buxhetin 2018, që u miratua në mbledhjen e sotme të qeverisë, të ardhurat në buxhetin e shtetit pritet të jenë 353 miliardë lekë, ose 4 miliardë lekë (32 milionë euro) më pak sesa parashikimi fillestar. Edhe shpenzimet janë ulur në të njëjtën masë, duke e mbajtur parashikimin për deficitin të pandryshuar në 32.4 miliardë lekë.
Të ardhurat nga buxheti vendos priten në 46.2 miliardë lekë, me një rritje të lehtë në raport me parashikimin fillestar. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore, të cilat kanë pasur një performancë të mirë gjatë muajve të parë të këtij viti, janë rishikuar në rritje me 2 miliardë lekë, duke arritur në 122.3 miliardë lekë. Skema e sigurimeve suplementare dhe buxheti i sigurimeve shëndetësore nuk kanë pësuar ndryshime. Në kahun e shpenzimeve, shpenzimet e buxhetit qendror janë 379 miliardë lekë. Fondi rezervë është ulur në 2.6 miliardë lekë, nga 2.7 miliardë lekë që ishte në buxhetin fillestar, (nga kjo deri në 800 milionë lekë, për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë, pas miratimit paraprak nga Kuvendi nga 1 miliardë lekë që ishte ky fond në buxhetin fillestar), ndërsa fondi kontingjencë për risqet e borxhit është 4 miliardë lekë. Numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë bëhet 81 672 veta, nga 81 660 veta në buxhetin fillestar.
Për 5 mujorin, buxhetit i munguan 60 milionë euro nga plani
Ndonëse rritja ekonomike i ka kaluar 4% në tre muajt e parë të vitit, kjo nuk po shoqërohet me një performancë pozitive të të ardhurave buxhetore. Sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave, të ardhurat buxhetore për 6 mujorin arritën në 216.9 miliardë lekë, me një zgjerim prej vetëm 2.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke pasur parasysh që rritja ekonomike në tre muajt e parë të vitit arriti në 4.45%, ndërsa inflacioni u përshpejtua në 2.4%, rritja reale e të ardhurave rezulton negative prej -4.65%.
Në raport me atë që ishte planifikuar në fillim të vitit, të ardhurat janë 7.5 miliardë lekë, ose rreth 60 milionë euro më pak, duke shënuar performancën më të dobët buxhetore që prej vitit 2013, kohë kur u ndryshuan qeveritë.
Të ardhurat nga tatimet e doganat u rritën vetëm me 1.6%, në 145.5 miliardë lekë, duke pasur dhe mosrealizimin më të madh ndaj planit, me 7.8 miliardë lekë. Mosrealizimi më i madh ishte tek TVSH, që është një tregues direkt i qarkullimit në ekonomi (-4 miliardë lekë) , tatim fitimi (1 miliardë lekë), akciza (1.2 miliardë lekë) dhe tatimi mbi të ardhurat personale (1 miliardë lekë). Financat kanë fajësuar më herët edhe efektin e kursit të këmbimit (zhvlerësimi i euros) nga i cili buxheti ka humbur 3.6 miliardë lekë në 5 muajt e parë të vitit.