Dëmi ekonomik mbi 20.5 milion lekë dhe me efekt negativ për buxhetin e shtetit në shumën mbi 56 milion lekë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 40/1 prot., datë 19.01.2018, ka ushtruar auditim në Spitalin Rajonal Shkodër, në përfundim të cilit, me shkresën nr. 40/11 datë 21.06.2018 i ka përcjellë SRSH gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare të Vendimit nr. 53, datë 20.06.2018 të Kryetarit të KLSH. Nga auditimi u konstatua keq menaxhim i fondeve dhe shpenzime jo në përputhje me parimet e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit, si pasojë e shkeljeve të trajtuara kryesisht si më poshtë vijon:
1. Nga auditimi, u konstatua se që nga viti 2005 deri në muajin qershor 2016 në Spitalin Rajonal Shkodër ka funksionuar dhe ofrohej shërbimi pa ndërprerje i dializës me 9 makineri/pajisje. Regjistri i pacientëve që merrnin shërbimin e Hemo-Dializës në Spitalin Rajonal të Shkodrës që prej vitit 2005 ishte i plotësuar deri më datë 02.07.2016. Në fillim të vitit 2016, Ministria e Shëndetësisë me një sërë shkresash, ka njoftuar SRSH se duhet të transferojë të sëmurët që do të marrin shërbimin e dializës në Qendrën e re të dializës në Spitalin e Shkodrës, në zbatim të kontratës së koncesionit të lidhur nga MSH datë 10.02.2016. Për qytetin e Shkodrës, funksionimi i Qendrës së re të dializës, ka filluar më datë 01.07.2016.
Pajisjet ekzistuese të hemodializës, rezultojnë se janë lënë të mbyllura tek reparti i vjetër i Hemo-Dializës dhe janë jashtë funksionit, për arsye të braktisjes dhe jo për arsye të mosfunksionimit të tyre. Nga verifikimi u konstatua se ekranet e pajisjeve funksiononin normalisht. Në gjendje pune rezulton edhe impianti i ujit të dializës së vjetër. Përpara ose në kohën që Ministria e Shëndetësisë vendosi të kryejë një investim për një repart Hemo-Dialize në SR Shkodër, drejtori i Spitalit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të vënë në dijeni MSH për ekzistencën e repartit të hemodializës i cili funksiononte në këtë spital që në vitin 2005. Në fakt, drejtori i SRSH, duhej të informonte MSH, Qendrën Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, se SRSH, kishte një repart Hemo-Dialize në funksion të plotë e madje me kontrata mirëmbajtjeje që prej investimit fillestar. Drejtoria e SRSH, duhet të kërkonte nga Ministria dhe specialistët e Agjencisë Shqiptare të Pajisjeve Mjekësore, që të inspektonin ambientet e Hemo-Dializës ekzistuese, për të gjykuar nëse pajisjet e Hemo-Dializës ekzistuese do të vazhdonin të funksiononin për SR Shkodër apo do të dhuroheshin në një Spital tjetër p.sh tek Spitali i Kukësit, që nuk e ka pasur komoditetin e këtij shërbimi. Veprimet dhe mosveprimet e drejtuesve të SRSH, janë në kundërshtim me Urdhrin nr. 3272, datë 11.09.2007 të Ministrit të Shëndetësisë “Mbi politikat kombëtare për menaxhimin e pajisjeve mjekësore në Shqipëri”. Vlera fillestare e investimit të kryer në vitin 2005, për repartin e Hemo-Dializës së SRSH, është 22,308,195 lekë (sipas pasqyrave financiare të vitit 2005) dhe njëkohësisht duke llogaritur amortizimin në vite, vlera e makinerive mjekësore të Hemo-Dializës së vjetër, në momentin e abandonimit të tyre është 11,629,695 lekë, pa llogaritur vlerat e investuara në vite për mirëmbajtjen e makinerive. Lënia në mëshirë të fatit, e 9 makinerive mjekësore të repartit të Hemo-Dializës ekzistuese të SRSH me rëndësi jetike për shëndetin publik, është veprim në kundërshtim me parimet e ekonomicitetit, efiçencës dhe efektivitetit të fondeve publike. Vlera e këtyre makinerive përbën dëm ekonomik të parikuperueshëm.
2. Nga auditimi i dokumentacionit teknik të dosjes së zbatimit për kontratën e punimeve civile me objekt “Rikonstruksioni i ambienteve të reaminacionit të Spitalit Shkodër”, datë 21.11.2016 me vlerë 27,372,487 lekë pa tvsh, u konstatua se është likuiduar më tepër shuma 2,333,900 lekë si pasojë e përfshirjes në situacionin e punimeve të vlerës së TVSH-së së pajisjeve, në kundërshtim me UKM Nr. 2, datë 08.05.2003, VKM Nr. 514, datë 15.08.2007, si dhe me UKM Nr. 1, datë 16.06.2011 dhe si rrjedhojë, duke shkaktuar dëm ekonomik.
3. Nga auditimi mbi të ardhurat dytësore janë konstatuar parregullsi praktikat e dhënies me qira të ambienteve ndaj të tretëve duke shkaktuar dëm ekonomik në shumën 1,405,000 leke, si pasojë e mos përfshirjes në tarifën e qirasë ndaj sipërfaqeve të shfrytëzuara nga operatorët ekonomik.
4. Nga auditimi i zbatimit të kontratës me objekt “Mirëmbajtje të pajisjeve të Dializës”, Full Risk, datë 24.04.2015, me vlerë 1,798,800 lekë me tvsh, janë konstatuar zëra shërbimesh/zëvendësimesh të kryera më shumë se një herë në më shumë se një makineri mjekësore brenda periudhës së garancisë, duke kryer faturime në kundërshtim me kushtet e kontratës. Vlera që i përket zërave të pjesëve rezervë të zëvendësuara dy ose dhe tre herë, brenda periudhës së garancisë, është 1,281,300 lekë dhe përbën dëm ekonomik.
5. Nga auditimi i zbatimit të kontratës me objekt “Blerje medikamente për kimioterapinë”, e ndarë në lote, datë 06.12.2016, u konstatuan se nuk janë llogaritur dhe mbajtur penalitete për vonesën në lëvrimin e medikamenteve brenda afatit të përcaktuar të kontratës në vlerën 818,282 lekë, vlerë e cila përben dëm ekonomik.
6. Për periudhën objekt auditimi janë larguar punonjës pa shkaqe të përligjura duke detyruar punonjësit të ndjekin procedurat ligjore dhe kanë paditur SRSH në Gjykatë, nga të cilat 9 çështje kanë përfunduar me Vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit duke e detyruar Spitalin Rajonal Shkodër të paguajë vlerën 6,262,422 lekë, vlerë e cila përbën efekt financiar negativ për buxhetin e shtetit.
7. Në lidhje me auditimin e inventarëve konstatohet se deri në fund të vitit 2017 janë akumuluar një sasi e konsiderueshme medikamentesh të skaduara në shumën totale prej 49,775,343 lekë, Për sa i përket medikamenteve të skaduara dhe të akumuluara ndër vite rezulton se nga ana e drejtuesve të SRSH nuk janë marrë masat e duhura për analizimin e rritjes ndër vite të kësaj sasie, shkaqet e skadimit dhe mospërdorimit të tyre, si dhe nuk janë marrë masat për evadimin/asgjësimin e tyre, pasi mbeturinat farmaceutike përbëjnë një rrezik për shëndetin si rezultat i materieve të ndryshme helmuese që përmbajnë ato dhe që përbejnë një rrezik edhe për ambientin në tërësi.
Sa më sipër, si pasojë e shkeljeve të konstatuara, nga grupi i auditimit janë rekomanduar gjithsej 35 masa organizative, 10 masa për shpërblim dëmi dhe 13 masa disiplinore.
Gjithashtu në zbatim të përcaktimeve të në nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenit 15/gj të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH i ka përcjellë organit të Prokurorisë Kallëzimin Penal nr. 40/13 datë 27.06.2018, ndaj z. P. Ç., në cilësinë e ish-drejtorit të Spitalit Rajonal Shkodër (pa përjashtuar këtu edhe përgjegjësinë e personave të tjerë punonjës dhe ish-punonjës të SRSH), me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.