Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) ka planifikuar të kryejë censin e ardhshëm të popullsisë dhe banesave në vitin 2020. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2020 do të ndjekë metodën e numërimit të drejtpërdrejtë universale bazuar në operacionet në terren me përpilimin e pyetësorëve nga anketuesit, duke përdorur metoda të reja për mbledhja e të dhënave.
“Censi i Popullsisë dhe Banesave 2020 do të marrë në konsideratë në masën më të madhe të pyetjeve thelbësore, duke marrë parasysh dhe kërkesat e përdoruesve vendas, rekomandimet e fundit ndërkombëtare, në veçanti rekomandimet dhe standardet e adresuara në vendet evropiane nga Kombet e Bashkuara dhe Zyra Statistikore e Bashkimit Evropian (Eurostat) si dhe duke përfshirë ato që lidhen me cilësinë e të dhënave dhe mbrojtjen e të dhënave personale” shkruhet në relacionin e projektligjit që i është dërguar për konsultim institucioneve.
Në projektligj parashikohen edhe penalitete për ata që refuzojnë të përgjigjen. Neglizhimi ose refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar sipas nenit 4 ose dhënia e informacionit të rremë, dënohet me gjobë prej 100 000 (njëqind mijë) lekësh, me përjashtim të rasteve kur informacioni jepet për pyetjet mbi bazën e vullnetit të individit.