Gjykata Europiane e Llogarive: Shqipëria 30 % të prokurimeve i bën pa garë 

Hënë, 30 July 2018 12:41

Gjykata Europiane e Llogarive, institucioni më i lartë i auditit në Bashkimin Europian ka analizuar procedurat e prokurimit në vendet e zgjerimit për vitin 2017 dhe ka gjetur se Shqipëria i zhvillon 30 për qind të prokurimeve publike pa garë nëpërmjet procedurës së negocimit.

Me tej institucioni europian i auditit vlerëson se, legjislacioni shqiptar në fushën e prokurimit nuk është plotësisht në përputhje me atë të BE në këtë fushë.

Gjithashtu ligji për procedurat e prokurimit publik nuk është në linjë legjislacionin e Shqipërisë për menaxhimin financiar. Sipas Gjykatës kjo rrit mundësinë e përdorimit të panevojshëm të procedurës me negocimin pa garë që për nga vetë natyra nuk është transparente.

Legjislacioni shqiptar i prokurimit publik lejon përdorimin e procedurave me negocim në rastet të cilat janë përcaktuar si emergjenca. Por nga ana tjetër legjislacioni lejon përdorimin e 12 argumenteve të ndryshme për përcaktimin e një rasti si emergjence.

Analiza e Gjykatës Europiane se sistemi elektronik nuk përdoret gjithmonë për procedurat me negocim edhe në rastet kur kjo do të ishte e mundur dhe e përshtatshme. Kjo zvogëlon transparencën e procedurës së prokurimit, cilëson auditi europian.

Gjithashtu Gjykata ka vënë re se në shumë raste ka interpretime të ndryshme të legjislacionit për prokurimin publik.

 Nuk ka udhëzime specifike dhe të hollësishme për hapat, afatet dhe veprimet e Autoriteteve Kontraktuese që duhet të aplikohen gjatë përdorimit të procedurës me negocim dhe gjithashtu nuk ka udhëzime për monitorimin e procedurave të prokurimit publik.

 Gjykata Europiane e Llogarive i rekomandon APP-së të adresojë problemet që lidhen me përcaktimin e rasteve si emergjenca nga operatorët ekonomikë për të minimizuar numrin e këtyre rasteve.

 Gjithashtu duhet të harmonizohet ligjin për procedurat e prokurimit publik dhe legjislacionin e menaxhimit financiar dhe për këtë duhet të bashkëpunohet me Ministrinë e Financave.

 Gjykata Europiane e Llogarive rekomandon qe APP-ja duhet të promovojë përdorimin e sistemit elektronik të prokurimit publik për procedurat e negociuara në mënyrë që të rrisë transparencën.

Login to post comments