Kompanitë ajrore, pasagjerët pa të drejta! Pak kompensime nga anulimet e fluturimeve

Diel, 05 August 2018 16:31

Pavarësisht se numri i pasagjerëve të prekur nga vonesat apo anulimet e fluturimeve në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” është tejet i lartë, të paktë janë ata që kanë arritur të përfitojnë kompensim si një e drejtë themelore e pasagjerit.

Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Aviacionit Civil, të bëra publike për “Scan Magazine“, janë rreth 4000 pasagjerë që përgjatë 2017-ës humbën fluturimin apo pësuan vonesa mbi 3 orë, ndërkohë që për këtë vit asnjë prej tyre nuk ka arritur të kompensohet për dëmin e shkaktuar.
“Pas komunikimit me Zyrën e Menaxhimit të Detyrimeve në aeroport dhe bazuar në relacionin mbi performancën e kompanive ajrore në 2017, numri i vonesave dhe anulimeve të fluturimeve për këtë vit janë rreth 41, ku muaji janar mbahet me numrin më të madh të vonesave apo anullimeve (13), kryesisht për shkak të kohës së keqe (anulime në raste të jashtëzakonshme).  Numri i anulimeve ad-hoc për arsye teknike ose komerciale shkon 28-30”,-bën me dije AAC.
Ndërkaq, të dhënat e vitit 2018 flasin për disa kompensime sporadike, që gjithsesi mbeten të ulëta në raport me numrin e pasagjerëve të dëmtuar.
E drejta për kompensim
Në rast vonesash apo anulimesh të fluturimeve, kompanitë ajrore kanë detyrimin për rimbursimin e pasagjerëve.
“Ne përpiqemi që t’iu sigurojmë biletën falas për fluturimin e radhës dhe në shumicën e rasteve kjo ka ndodhur”,-thonë në kushtet e anonimatit përfaqësues të kompanisë ajrore ‘Blue Panorama’, që kryesisht kryen fluturime drejt Italisë. Megjithatë ajo që vlen të theksohet është fakti se kompensimi dallon nga nocioni ‘rimbursim i shpenzimeve apo kthim i parave të shpenzuara për një biletë fluturimi të papërdorur’, çka do të thotë se pasagjeri i dëmtuar duhet të përfitojë një shumë të caktuar parash për shkak të situatës me të cilën është përballur.
Sipas legjislacionit në fuqi, kompensimi në rast anulimi varet nga distanca e fluturimit dhe arsyeja e anulimit. Nëse distanca e fluturimit është 1500 km apo më pak, shuma që duhet paguar është 250 €. Për distanca 1500-3500 km dhe të gjitha fluturimet brenda BE-së qoftë edhe mbi 3500km, shuma që duhet paguar është 400 €, ndërsa 3500 km apo më shumë, shuma që duhet paguar është 600 €.
Ndërkohë që, nëse kompania ajrore mund të ofrojë ndryshimin e drejtimit për në destinacionin përfundimtar, i cili nuk kalon dy orë për fluturime më të shkurtra se 1500 km, tre orë për fluturime ndërmjet 1500 dhe 3500 km dhe katër orë për fluturime mbi 3500 km, atëhere kompensimi do të zvogëlohet me 50%.
Pagesa e kompensimit nuk bëhet vetëm në rastet kur kompania ajrore mund të dëshmojë se anulimi ishte shkaktuar nga një rrethanë e jashtëzakonshme, e cila nuk do të mund të ishte shmangur edhe nëse të gjitha masat e arsyeshme do të ishin ndërmarrë. Shembuj të rrethanave të jashtëzakonshme mund të përfshijnë kushtet meteorologjike, kufizime të kontrollit të trafikut ajror, rreziqet e sigurisë dhe grevat që ndikojnë në funksionimin e fluturimit.

Mungesë informimi
Autoriteti i Aviacionit Civil i tha “Scan Magazine“ se “çdo kompani ajrore ka një procedurë të detajuar, konform Rregullores Evropiane 261/2004 “Mbi të Drejtat e Pasagjerit”, e transpozuar gjithashtu në legjislacionin vendas me udhëzimin Nr. 1, datë 26.02.2013, “Për kompensimin, asistencën e pasagjerëve në rastin e mospranimit në bord të avionit dhe anulimit ose vonesës gjatë fluturimeve”, që mund të gjenden në faqet e tyre zyrtare në momentin e rezervimit të biletave ose nën rubrikën përkatëse”.
“Qëllimi i këtij udhëzimi është pikërisht krijimi i rregullave të njëtrajtshme të kompensimit dhe ndihmës për pasagjerët në situata të tilla si: Mospranimi në bord të avionit, anulimi, vonesa apo ulje e kategorisë së shërbimit. Në kuptim të ligjit, AAC është autoriteti kompetent për të garantuar zbatimin e detyrimit të kompanive ajrore dhe ndërhyn gjatë procesit të kompensimit, pasi kompania mund të mos i jetë përgjigjur formularit të ankesës së pasagjerëve ose kur pasagjeri nuk është i kënaqur me përgjigjen e kompanisë ajrore dhe kërkon asistencën,” shtoi më tej AAC.
Megjithatë, nga një kërkim në faqet zyrtare të kompanive që operojnë në vendin tonë rezulton se disa prej tyre nuk e ofrojnë fare informacionin mbi procedurën e kompensimit. Ndërkohë që disa të tjera e disponojnë, por vetëm në gjuhën angleze. Në fakt, edhe vetë Autoriteti e pranon që kjo është një fushë problematike.
“Në lidhje me të drejtat e pasagjerit në Shqipëri, prej kohësh, ka patur shumë problematika, sidomos në aspekte që lidhen me informimin e pasagjerëve se si t’i kërkojnë të drejtat e tyre në rast se një kompani ka problem, sidomos në vonesa apo anulim fluturimi. Sipas ligjit, në momentin që një pasagjer blen biletën, hyn në një kontratë me kompaninë përkatëse, sipas kushteve të caktuara, kg e valixhes, etj.”,-shprehen përfaqësues të këtij dikasteri. “Në AAC, ne kemi konkluduar që problemi kryesor dhe që kërkonte zgjidhje në tregun tonë ishte mosinformimi ose keqinformimi i pasagjerëve,” shtuan ata.
Erë ndryshimesh?!
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil për shkak të situatës aktuale, 7 muaj më parë u ndërmor një fushatë intensive e informimit publik. “Për këtë AAC krijoi sektorin e posaçëm të të drejtave të pasagjerit, si kërkesë kjo edhe e Komisionit Evropian, në zbatim të rregulloreve. Sektori i të drejtave të pasagjerit në AAC ndodhet me zyrë në “Tirana International Airport“ (TIA) dhe është përgjegjës për mirëmbajtjen e të gjithë infrastrukturës informuese në aeroport, e përbërë prej tabelave të dukshme dhe të plotësuara me fletëpalosje informuese dhe formularë të gatshëm për t’u plotësuar”,-thotë AAC.
“Falë kësaj fushate, janë kompensuar për herë të parë mbi 80 pasagjerë me mbi 200 euro për shkak të vonesave apo anulimeve. Gjithashtu një numër i madh formularësh janë në proces vlerësimi dhe do të marrin kohën prej 6 javësh, kohë e cila është e paracaktuar në rregulloret dhe kushtet e vetë kompanive”,-shtuan përfaqësues të Autoritetit, duke theksuar se e vetmja mënyrë për të detyruar kompanitë ajrore që janë licencuar në një vend të BE-së të respektojnë pasagjerin është duke plotësuar formularin e ankimimit.
AAC e konsideron ai arritje faktin që për herë të parë parë në 25 vite, pasagjerët shqiptarë kanë përfituar kompensim financiar mbi 200 euro nga kompanitë përkatëse. Megjithatë, numri i tyre është tejet i ulët nëse marrin në konsideratë numrin e fluturimeve të anuluar apo që kanë regjistruar vonesa mbi 2 orë. Sipas “Raportit të performancës“ , hartuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil për 17 kompanitë ajrore që operojnë në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ për 4-mujorin e  parë të vitit 2018 numërohen 10 anulime dhe mbi 30 vonesa, çka do të thotë se mesatarisht (nga 100 pasagjerë në avion) janë 4000 pasagjerë të prekur, çka do të thotë se vetëm 2% e tyre kanë arritur të përfitojnë. “Ernest S.P.A“, “Adria Airways“ dhe “Blue Panorama“ janë 3 kompanitë ajrore me performancën më të keqe për 4-mujorin, duke qenë se kompania “Ernest S.P.A“ , ka regjistruar për këtë periudhë kohore 2 anulime dhe 9 vonesa mbi 2 orë, ndërsa “Adria Airways“ numëron 5 anulime dhe 5 vonesa fluturimesh.
Kompania e tretë me performancën më të keqe, që është “Blue Panorama“, nuk ka patur asnjë anulim, por ajo renditet në këtë pozicion për shkak të 6 vonesave në fluturime. Vendi i 4-t dhe i 5-të zihet nga “Turkish Airlines“ dhe “British Airways“, që kanë regjistruara ërkatësisht 4 dhe 3 vonesa fluturimesh mbi 2 orë. Ndërkaq, janë një sërë kompanish,  të cilat kanë regjistruar performancë pozitive sipas indikatorëve të marrë në analizë, duke mos patur asnjë vonesë apo anulim fluturimesh. Më konkretisht, 6 kompanitë që nuk kanë regjistruar asnjë problem janë: “Albawings“, “Pegasus“, “Jet Airfly“, “Transavia“, “Aegean Airlines“ apo “Air Serbia“.

Procedura
Bazuar në “Rregulloren evropiane 261/2004“, e transpozuar edhe në legjislacionin tonë, kompanitë ajrore janë të detyruara të trajtojnë pasagjerët gjatë kohës që janë në aeroport dhe të sigurohen që të mbërrijnë në destinacion nëpërmjet fluturimeve të mëvonshme ose alternative. Ndërkohë që, nëse vonesa e gjatë apo anulimi nuk shkaktohet nga një forcë madhore (moti ose aksidente), lind edhe e drejta e kompensimit, pasi pasagjerët të kenë mbërritur në destinacion.
Për të përfituar, duhet që fillimisht të plotësohet formulari i ankesës me të dhëna të sakta, si: Detajet e fluturimit (numër fluturimi, data, koha, rruga, kodi i rezervimit, nr e pasagjerëve në rezervim).  Ky formular gjendet edhe në adresën,  www.aac.gov.al/te-drejtat-e-pasagjerit. Më pas, i dërgohet kompanisë me e-mail ose adresë fizike (rekomandohen të dyja format) tek adresat që gjenden tek faqja e tyre zyrtare, nën “kontakte/ankesa”. Pas dërgimit të formularit, pasagjeri duhet të presë përgjigje deri në 6 javë, ndërkohë që në mungesë të saj, formulari i skanuar duhet të dërgohet tek This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it., ku ka një staf të dedikuar që merren vetëm me këto çështje.
Aktualisht, në Kuvend ka mbërritur projektligji “Për Kodin Ajror”,  i cili paraqet një dokument tërësisht të ri, duke shfuqizuar kodin aktual. Dokumenti sjell disa risi në drejtim të të drejtave të pasagjerëve e që lidhen pikërisht me informimin e tyre.
Sipas kodit të ri, kompanitë ajrore do të duhet që në sportelet e kontrollit të biletave (check-in) të ekspozojnë në mënyrë të dallueshme rregullat për të drejtat e pasagjerit dhe veçanërisht të drejtat që kanë të bëjnë me kompensimin dhe asistencën, në rast të vonesave apo anulimeve të fluturimeve.  Ndërkohë që, përveç ekspozimit të të drejtave, kompanitë duhet t’i paraqesin çdo pasagjeri të dëmtuar nga refuzimi i hipjes në avion ose anulimi i fluturimit një njoftim me shkrim ku specifikohen rregullat për kompensim dhe asistencë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...