Skandaloze/ Shefi i Rendit, i dehur dhe me shkop në dorë, ia merr valles (video)

Premte, 10 August 2018 15:39

Uniforma e policisë është e shenjtë.

Kështu janë shprehur krerët më të lartë të shtetit ndër vite në vendin tonë.

Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë në këtë rast.

Këto pamje që po ndiqni kanë mbërritur në ABC News, ku shihet shefi i Rendit në Delvinë me uniformën e tij të policisë.

Me një shkop druri në dorë ai udhëheq vallen tradicionale të zonës, bashkë me disa nga vartësit e tij.

Ndoshta është një gëzim familjar ose shefi ndodhet jashtë orarit të punës, por për një drejtues policie është e papranueshme të ndodhet në një gjendje të tillë kur është i veshur me uniformën e Policisë së Shtetit.

‘Policët që duam’ duhet të jenë pa bark të fryrë. Shefi e plotëson këtë kriter. Por paska ca dëshira të tjera. Folklori, vallja e me to bashkë edhe pak raki.

Ja, ky qingj largohet nga vallja e ahengut të improvizuar. Me siguri do t’i bashkohet më vonë tryezës, por i shkuar në hell.

Prandaj dhe shfaqet për disa sekonda e vetmja femër. Këto skena i kemi parë te filmi, “Përrallë nga e kaluara” bazuar në veprën e Çajupit.

Megjithëse një shekull më parë, tradita ruhet. I njëjti version i komedisë shfaqet edhe në ditët e sotme.

Këtë herë, me njerëz realë dhe me drejtues të policisë vendore të Delvinës.

Si punonjës policie do dhe rregull. Nuk i pëlqen dridhja e vitheve të kolegut, prandaj një përkëdhelje me shkop e bind se valleja do ecë sipas ritmit dhe zakonit.

Shefi i ‘detyron’ nën kërcënimin e shkopit të gjithë valltarët të ulen  përtokë. Njëri del nga rreshti dhe shkopi për këtë punë është.

Por tani është tepër vonë, vallja ka kaluar në ‘Kala Dibrançe’. Fundja pse jo?!

Edhe ajo e traditës është.

Login to post comments