Nga Mark D. Vickers *
Kisha ikur për disa ditë nga Tirana për të eksploruar një pjesë të Shqipërisë që ende nuk e kisha vizituar. Kështu që u nisa nga Peshkopia për në Fushë Lurë.
Kjo zonë e vendit është padyshim e mrekullueshme, por unë nuk po udhëtoja si turist dhe, meqë kisha kohë të kufizuar, nuk mund të qëndroja askund për shumë gjatë.
Duhet ta them që në fillim se kjo histori ka ndodhur në një kohë kur shumë pak të huaj vizitonin zonat e largëta të Shqipërisë, por gjithashtu duhet të them që personalisht nuk u ndjeva kurrë i kërcënuar dhe nuk pata probleme. Ndoshta ngaqë unë në atë kohë e flisja mjaft mirë shqipen dhe kisha mësuar shumë mbi zakonet e zonës apo thjesht sepse pata fat, unë nuk e di me siguri. Mund të ishte edhe kombinim i këtyre faktorëve, por të them të drejtën në çdo vend që kam vizituar, të huajt kanë tendencën të ekzagjerojnë rreziqet dhe të fokusohen tek negativet, ndoshta për ta bërë veten të duken më interesantë. Nuk po sugjeroj që nuk kishte ose s’ka rreziqe në disa vende, por jam i sigurt që ato rreziqe zmadhohen kur udhëton me një ndjesi të pabazë vetëbesimi të tepërt, që lehtë mund të ngatërrohet ose të kthehet në pompozitet. Pikëpamja ime ishte ajo e një të huaji në një vend të huaj, prandaj ishte në dorën time të vëzhgoja dhe të mësoja sa më shumë, dhe jo anasjellas. Gjithsesi, mikpritja shqiptare më habiti përsëri e përsëri dhe më afroi në kthetrat e shqiponjës mirëpritëse, e cila më mbrojti e më udhëzoi në udhëtimet e mia.
U mrekullova nga dhe u dashurova me Shqipërinë aq shumë, saqë dalëngadalë fillova të ndjehesha sikur edhe unë kisha pak gjak shqiptari! Kjo ndjesi filloi që në muajin e parë që ndenja në Shkodër, ku u ndjeva si në shtëpinë time, dhe sa më shumë mësoja mbi traditat dhe vlerat e njerëzve shqiptarë, aq më shumë rritej ajo. Këto vlera janë shumë më të vlefshme se shtrembërimet moderne, të cilat e kthejnë bukurinë origjinale në kriminalitet që do të neveriste heronjtë e vërtetë të Shqipërisë.
Gjithsesi, po dal nga tema. Në atë kohë, harta të sakta ishte e vështirë të gjeje. Unë e kisha një, por i mungonin detajet që më duheshin për udhëtimet e mia, prandaj më duhej të përdorja një hartë të vjetër të ushtrisë shqiptare që kisha gjetur. Do të doja të kisha qëndruar më gjatë në Peshkopi, më vjen të psherëtij kur takoj turistë që e shikojnë për maksimumi një dite një vend dhe mendojnë se janë bërë eskpertë të zonës, si një gjeneral që shikon vetëm ç’i tregon oficeri dhe beson se morali është i lartë dhe gjithçka është në rregull, në prag të kryengritjes! – Por për fat të keq nuk munda. Në Peshkopi ndenja vetëm një natë.
187 kilometra nga Tirana dhe vetëm 20 kilometra nga kufiri me Maqedoninë, Peshkopia është qyteti kryesor i rrethit dhe qarkut Dibër. Kisha lexuar pak mbi historinë e qytetit, aq sa të dija se banorët e parë ishin vendosur që në kohët para Krishterimit. Ndërsa qëndroja në dhomën time në një hotel të thjeshtë, dëshiroja aq shumë t’u tregoja të gjithëve që dinë aq pak mbi Shqipërinë, se ajo ka kulturën më të lashtë dhe më të mrekullueshme në Evropë.
Jo shumë qartazi kujtoja se Peshkopia dukej edhe në hartat e shekullit të njëmbëdhjetë. Pas zgjerimit osman përmes Shqipërisë, Peshkopia ishte pothuajse e tëra myslimane në fund të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, pavarësisht historisë së krishterë të qytetit, e cila ishte e mirëregjistruar edhe në shekullin e 11-të. Turqit ndërtuan një kazermë në vitin 1873. Më 1910 qyteti ishte aktiv në kryengritjen ndaj turqve dhe, duke kërkuar pavarësinë, qyteti u çlirua më 16 gusht 1912. Por, siç ndodhi edhe në vende të tjera të Shqipërisë, në vend që të ishin duke luftuar turqit me shtetet e tjera ballkanike si aleatë, Serbia dhe shtete të tjera donin ta shkatërronin shtetin dhe popullin shqiptar, dhe në dhjetor 1912 serbët e pushtuan Peshkopinë. Shqiptarët e rimorën qytetin më 20 shtator 1913, por bullgarët e pushtuan në janar të 1916-ës. Banorët rezistuan aq sa mundën, edhe pse kishin vuajtur në betejat kundër turqve dhe serbëve.
Por, ky nuk ishte ende fundi. Austro-hungarezët, si aleatë të bullgarëve, vendosën t’i dënojnë banorët për rezistencën ndaj aleatëve të tyre. Shtëpitë u dogjën dhe shumë dibranë u ekzekutuan, sepse u rezistuan pushtuesve. Në fund të Luftës së Parë Botërore, austro-hungarezët u larguan si humbës të luftës.
Më 1939 italianët pushtuan Shqipërinë, morën kontrollin e Peshkopisë në prill dhe qëndruan aty derisa u larguan nga Boshti më 1943, kur partizanët shqiptarë e rimorën Peshkopinë. Ende Peshkopia nuk ishte në paqe, sepse partizanët luftonin me forcat e Ballit Kombëtar dhe në korrik 1944 forcat gjermane u vendosën në qytet, por u larguan brenda muajit. Ende vazhdonin betejat, derisa zona u dominua nga Ushtria Nacionalçlirimtare dhe më pas erdhën 45 vite komunizmi të ashpër.
Do të doja të kisha shpenzuar më shumë kohë në një vend kaq të mrekullueshëm, të shikoja e të mësoja rreth këtyre banorëve dhe historisë së tyre, duhej të qëndroja shumë më shumë se disa netë, edhe nëse mundesha ta zgjasja qëndrimin tim larg Tiranës. Besoj se nuk është ide e mirë të injorohet historia, por as nuk duhet të studiohet në një zyrë të kondicionuar, pa rrezikuar rezultate të çuditshme ose të pakuptimta. Historia duhet të merret në kontekst gjeografik, me të tëra aspektet kulturore dhe kohore. Sigurisht, historianët më të mirë e bëjnë këtë, por thjesht dua të them që pa qëndruar një kohë të caktuar me banorët e një vendi, nuk mund ta kuptosh ndikimin e historisë te ta sot.
Për fat të keq, unë kisha kohë të limituar dhe shumë vende për të vizituar. Doja të vizitoja Fushë Lurën. Më kishin dhënë emrin e një doktori aty, i cili mund të më gjente një shtëpi për të kaluar natën. Ai po më priste, ndaj pas një mëngjesi të thjeshtë, por të mjaftueshëm, u rinisa.
E kisha studiuar hartën time dhe kisha gjetur një rrugë interesante. Gjithçka po shkonte mirë dhe unë po e shijoja shumë peizazhin. Pas disa kohe, rruga e ngushtë ndahej në dysh, gjë që nuk tregohej në hartën time të vjetër. Një grup të rinjsh po qëndronin aty, duke bërë çfarë vetëm një Zot e di. S’kishte gjë tjetër aty, përveçse dy rrugë, pothuajse rrugica. Asistenti im po i jepte makinës në atë kohë dhe unë i thashë të ndalonte. Ai ishte shumë më nervoz se unë mbi historitë e rreziqeve në këto anë dhe, pasi u sigurua mbi çfarë i kërkova, ai e ndaloi makinën pa shumë dëshirë. I thirra të rinjtë dhe ata erdhën me buzëqeshje të madhe. Pasi u takuam, i pyeta se nga i binte Grykë Noka.
Të gjithë më treguan njërën prej rrugëve dhe ne direkt u nisëm në drejtimin e disa shtëpive guri, disa qindra metra larg. Asistentit im dukej i tensionuar, prandaj nuk e shqetësova, duke i thënë se djemtë po qeshnin me të madhe, ndërsa ne u larguam, sepse nuk doja ta stresoja edhe më shumë.
Rruga deri në një pikë ishte si në hartën time, por pas shtëpisë së parë, m’u në mes të rrugës, gjendej një pirg masiv drurësh. Ishte e pamundur të kalonim. Prandaj po qeshnin ata djemtë?! Nuk kishte as rrugë për të kthyer makinën pa kaluar në tokën e shtëpisë përbri, dhe unë s’doja ta bëja këtë gjë pa marrë leje, prandaj qëndruam disa minuta aty duke parë hartën. Sipas hartës, ishte edhe një rrugë tjetër për në Fushë Lurë përmes maleve, por dukej sikur në një pikë bëhej e pakalueshme për makinat. Nuk m’u desh shumë kohë të kuptoja se në këtë rrugë që ishim, nuk mund të vazhdonim.
Ndërsa po mendoja se si mund të kthenim makinën, pronari i shtëpisë u afrua dhe na takoi. I shpjegova se ku doja të shkoja dhe nga vija dhe ai na tha që, sigurisht mund të ktheheshim në tokën e tij, por në fillim duhej ta lejonim të na jepte disa meze për rrugën. Ja ku ishim, në Grykë Nokë, pa ditur nga do të shkonim për të arritur në destinacionin tonë dhe të ftuar plot ngrohtësi në shtëpinë e një të huaji– përsëri mikpritja shqiptare po ma ngrohte zemrën. Para se ta kuptoja ç’po ndodhte, tre gjenerata të familjes së tij po na ofronin kafe, fruta dhe raki. Kisha sjellë disa lloje të tjera frutash nga Tirana, ndaj i thashë asistentit të sillte pak dhe e ndamë me familjen, duke pushuar gëzueshëm me ta. Duke folur me të zotin e shtëpisë, mora vesh se rruga në hartën time ishte në të vërtetë shumë më e mirë se ç’dukej në hartë dhe kishte për të më dërguar drejt Fushë Lurës. Pas disa fotosh, u futëm në makinë dhe u kthyem nga kishim ardhur.
Ja ku ishin adoleshentët, duke qeshur ndërsa na shikonin neve duke u kthyer. I thashë asistentit tim të ndalonte. Ai ishte edhe më i pasigurt se herën e parë, por më dëgjoi. Unë ula dritaren dhe ju thashë me një ton gjysmë-serioz: “Ishte bukur të vizitonim miq të vjetër në fshat, por tani duhet të nisemi për në Fushë Lurë. Ajo është rruga apo jo?” Pastaj qesha, që ta kuptonin se nuk na ngeli hatri. Po, ata drejtuan gishtat nga kodra.
Para se ta kuptoja se ç’po ndodhte, ata kishin hapur derën e pasme dhe po fusnin brenda një prej tyre. Asistenti im po skuqej nga inati, por djali ishte brenda dhe dera ishfe mbyllur. Mes të qeshurash, djemtë e tjerë thanë që ai do të sigurohej që po iknim në drejtimin e duhur.
Iu ngjitëm kodrës, që dalëngadalë po na dukej më shumë si mal. Po i flisja pasagjerit tonë: “Si e ke emrin; ku jeton; a ishin ata shokët e tij (çfarë pyetje!). Ai e kuptonte që nuk do të ktheheshim në Grykë Nokë apo jo; e të tjera. Isha i sigurt se shqipja ime ishte e mirë, por çfarëdo të thoja, djaloshi vetëm qeshte. Provova të përdorja theksin shkodran që kisha zhvilluar, por prapë të qeshura. Vetëm një orë më parë po flisja me atë familjen e këndshme dhe gjithçka dukej sikur shkoi mirë. Prandaj, pse po qeshte djali me gjithçka që po thoja? Fillova të shqetësohesha.
Ndërsa po arrinim majën e kodrës, “guida” jonë, që s’kishte folur fare, më preku në shpatull dhe më bëri sinjal të ndaloja. Pashë rrotull me nxitim– s’kishte gjë pranë, vetëm fusha dhe pyje pak larg makinës. Djali zbriti, u afrua tek dritarja e makinës, më shtrëngoi dorën, ende duke qeshur. Pyeta veten, ç’kishte kaq gazmore. A ishte vërtet shqipja ime kaq e keqe?
Ai tregoi veten me gisht, më pas një shtëpi të largët guri. Ndërkohë që po largohej, tregoi veshët dhe gojën e tij, qeshi me të madhe dhe iku me vrap. Edhe mua më zuri gazi, ndërsa e pashë atë duke ikur me nxitim. Djali nuk mund të fliste e as të dëgjonte, por mund të qeshte dhe atë e bënte pothuajse pa pushim! Me siguri edhe miqtë e tij, që i kishin gjetur një shofer nga Grykë Noka për në shtëpi, po qeshnin akoma! Vetëm asistenti im nuk qeshte. Ai psherëtiu dhe me shumë mundësi po më shante nën vete!
Fatmirësisht rruga e ngushtë malore vazhdoi të ishte më e thjeshtë se rruga që sugjeroi harta ime e vjetër dhe ne bëmë përparim të mirë, duke shijuar pamjet e bukura. E vetmja gjë që kisha ishte emri i doktorit, prandaj sapo iu afruam fshatit të Lurës dhe pashë një djalë të ri në anën e rrugës duke buzëqeshur, i thashë asistentit tim të hapë krahun. Ula xhamin e dritares dhe përsëri me shqipen time “më të mirë” e përshëndeta. Më pas e pyeta me mirësjellje nëse ai e dinte se ku mund të ishte doktori. Djaloshi i buzëqeshur u drejtua drejt makinës dhe, kur u afrua pranë dritares, ngriti bluzën duke treguar një shenjë të madhe në stomakun e tij. Çfarë po ndodh sot? – pyeta veten.
Asistenti im dukej përsëri i shqetësuar! Mos po më tregonte shenjën e tij për të më thënë se sa doktor i mirë ishte ai që po kërkoja apo mos po më tregonte se mundej të më ndodhte edhe mua ajo gjë? Nuk dija si të reagoja ndaj kësaj paraqitjeje të punës së doktorit, prandaj thashë: “Oh shumë mirë, Po ku mundem ta gjej doktorin?” Me më shumë buzëqeshje dhe disa përshëndetje të tjera, zbulova se shtëpia e doktorit ishte rreth kthesës tjetër. Doktori më tha që ai kishte rregulluar një vend për ne diku afër pyllit dhe më tregoi se si shkohej atje. Unë e falenderova dhe kur u larguam për të kërkuar për rrugën mes pyllit, po shpresoja që të kishim mundësinë të shikonim ndonjë gjë nga Parku kombëtar i Lurës dhe 14 liqenet e famshme të tij, të cilët ekzistonin që në Epokën e Akullit. Ne kaluam njërin prej tyre, i cili quhej “Liqeni i Luleve” dhe iu hodhëm syrin disa të tjerëve.
Rruga nga e cila ishim drejtuar ne vazhdonte lart në kodër dhe përmes pyllit, por ishte e ngadaltë dhe plot me gurë të mprehtë. Vazhduam të ecnim, por ishte e pamundur t’iu shmangeshim gurëve dhe majave të tyre të mprehta. Vetëm disa qindra metra nga mbërritja në destinacioni tonë, na u ça një gomë. Pak më parë në po këtë udhëtim, na ishte çarë edhe një gomë tjetër, por e kishim të pamundur ta ndërronim. E filluam këtë udhëtim me dy goma rezervë, por kjo e çarë tregonte që ne nuk mund të vazhdonim më tutje, pa ndërruar gomën. Siç thashë edhe më parë, unë nuk kam patur ndonjë problem, por unë nuk isha dhe aq naiv sa të besoja që disa zona që unë akoma doja të vizitoja, nuk kishin kaluar më parë të huaj. Por tani kishim ngecur – nuk kishim asnjë zgjedhje tjetër, përveçse të përdornim gomën e fundit rezervë dhe të shpresonim për më të mirën – në duart e Zotit.
Pronari i shtëpisë së madhe u afrua dhe erdhi pranë nesh për të parë se ç’po bënim. Në pak kohë, ne e kishim vendosur gomën rezervë dhe kishim ndaluar pranë ndërtesës së gurtë. Pronari na kërkoi të parkonim jashtë dritares, ku ai tha se do të mbante një sy për makinën tonë gjatë natës. Dukej sikur shtëpia ishte dizenjuar për të qenë një lloj hoteli, pasi kishte rreth 5 ose 6 dhoma, ndoshta më shumë. Ai na dha një dhomë me dy krevate, por mua nuk më pëlqen shumë të ndaj dhomën dhe e shmang sa herë të mundem. M’u desh ca kohë që ta bindja të na jepte dy dhoma, por ai më tha se duhej të paguaja për dy dhoma. Pas pak kohe ai u sigurua që ne e kishim kuptuar!
Na tregoi se në çfarë ore mund të hanim ushqim dhe ne sugjeruam që të hanim jashtë. I shpjegova atij që nuk haja as mish, as peshk, por çdo që tjetër përveç këtyre të dyjave do të ishte e mirëpritur.
Kishim disa orë para kohës së darkës, prandaj vendosëm që të eksploronim pyllin në këmbë. Nuk doja të rrezikoja të na çahej një gomë tjetër, të paktën derisa të largoheshim nga rruga me gurë të mprehtë. Pylli dhe kodrat ishin shumë të qeta, nuk kishte asnjë zhurmë tjetër përveç cicërimave të zogjve ose rrjedhjeve të ujëvarave. Ecëm aq sa mundëm para se të perëndonte dielli dhe filluam të ktheheshim. Mesa duket, ne humbëm rrugën nga u kthyem dhe pas disa momentesh të vogla frike, duke kthyer kokën nga njëra anë në tjetrën, pamë shtëpinë. Kishim kaluar nga një rrugë pakashumë gjysëm miljeje, pak më poshtë shtëpisë. Por çdo hap i vlente vetëm për të kaluar nën pemët e gjata të shikoje dhe të ndjeje ujin e ftohtë që kalontë poshtë kodrës, të shikoje diellin duke u larguar pak e nga pak. Ahu europian, bredhi i argjendtë, pishat e zeza dhe rrallë disa pisha boshnjake. Çfarë vendi i mrekullueshëm. Kisha lexuar se zona ku ndodheshim ishte akoma shtëpia e arinjve të murrmë, rrëqebujve, ujqërve, kunadheve dhe kaprojve, po për fat të keq nuk pashë asnjë prej tyre. M’u kujtua shprehja e poetit të famshëm Gjergj Fishta (1871-1940) “Kush nuk ka parë Lurën, nuk ka parë Shqipërinë”.
Arritëm te shtëpia fiks në kohë për t’u ulur jashtë në tryezën e madhe të drunjtë dhe ku po shtrohej darka. Çfarë gostie. Gjithmonë kam menduar që dieta ime hap problem, por edhe pse tërë këto tre vite që kam jetuar në Shqipëri nuk kam takuar asnjë vegjetarian tjetër, gjithmonë çuditesha nga vakti që më shërbehej, pasi gjithnjë ishte i mrekullueshëm. Shpresoja që të mos kisha hapur problem për ndonjë. Na u shërbye byrek, bukë, djathë, sallatë, domate, kos, fruta, kafe dhe shumë raki e birrë nëse donim.
Para se të fillonim të hanim, një grup njerëzish arritën në fshat, bashkë me doktorin që na sugjeroi këtë vend të mrekullueshëm. Dukej se fjala ishte përhapur që një i huaj i çuditshëm fliste shqip ose ata thjesht donin të më mirëprisnin. Ndoshta të dyja.
Folëm me ta. Ushqimi ishte i këndshëm dhe rakia rridhte lirisht. Kujtoj që asistentit tim nuk i pëlqente shumë rakia dhe kjo ndoshta ishte gjë e mirë. Natyrisht, më duhej të largohesha në pikë të mëngjesit, dhe më duhej dikush që t’i jepte makinës. Edhe njëherë, mikpritja shqiptare më mrekulloi. Dy të huaj në mes të një pylli të largët po trajtoheshim kaq mirë! Isha i gëzuar, ndoshta pak i pirë, kur pashë një grua që doli nga shtëpia. Ishte veshur me të zeza, me fytyrë të mbuluar. I thirra dhe thashë: “Faleminderit, zonjë, për vaktin. Ishte shumë i shijshëm.”
Qetësi. E tërë tavolina ra në qetësi dhe në moment e kuptova që kisha bërë një gabim. Pas njëfarë kohe, që mua m’u duk si një pafundësi, burri më i vjetër në tavolinë tha: “Nuk ka problem. Është i huaj, nuk i di traditat tona”. Ai u kthye drejt meje dhe më tha: “Nuk duhet t’i flasësh zonjës së shtëpisë. Në qoftë se ke komplimenta, duhet t’i thuash të zotit të shtëpisë dhe e ka në dorë ai t’i thotë gruas.” Çfarë gabimi. Unë krenohesha me studimin e traditave dhe mundohesha aq shumë t’i respektoja, por ja ku isha, duke u sjellë si një turist i rëndomtë. Kërkova falje dhe më siguruan që s’kisha bërë ndonjë dëm, por e kisha marrë mësimin dhe nuk do të isha kaq i pakujdesshëm përsëri.
Kjo ishte historia e kësaj pjese të udhëtimit larg Tiranës. Ditën tjetër u nisa për në Kukës për një natë, më pas në perëndim drejt Shkodrës time të dashur dhe më pas në jug, përsëri drejt Tiranës.
* Nënkoloneli Mark D. Vickers ka qenë atashe ushtarak i Britanisë së Madhe në Tiranë në vitet 2005-2008. Ai ka shkruar me shumë dashuri disa artikuj mbi Shqipërinë dhe ka realizuar mjaft foto dhe piktura nga Shqipëria.
Përkthyen dhe përshtatën në shqip: Dea&Klovis Karoshi (Marre nga Rruga e Arbrit)