Policët me uniforma të degraduar, detyrohen t’i blejnë vetë të rejat

Premte, 10 August 2018 17:06

Shpeshherë në rrugët e vendit kemi parë efektivë policie me uniforma të konsumuara dhe aspak serioze. Për këtë arsye në fillim të prillit Ministria e Brendshme shpalli tenderin me procedurë të hapur për “Blerje konfeksione (veshje) për uniformën verore për Policinë e Shtetit”, me fond limit rreth 190 milionë lekë.

Disa operatorë ekonomikë u ankuan për kushtet e tenderit , pasi kishte dyshime për favorizim të subjekteve të caktuara. Specifikimi ishte lëvrimi i uniformave 45 ditë nga lidhja e kontratës, një kohë e pamjaftueshme kjo sipas operatorëve që u ankuan, për të prodhuar mijëra uniformave.

Sipas dokumentacionit në Agjensinë e Prokurimit Publik, kushtet e tenderit u modifikuan duke e çuar në 60 ditë afatin e dorëzimit të uniformave si dhe u shty disa ditë afati i dorëzimit të ofertave për pjesëmarrje në tender.

Në fillim të qershorit u shpall fitues bashkimi i disa operatorëve që ishin paraqitur me ofertën më të favorshme ekonomike, por vonesat po i vuajnë efektivët e policisë. Këta të fundit ishte parashikuar të pajiseshin me uniformat verore në muajin korrik, por sipas kontratës, veshjet do t’i marrin në mes të gushtit.

Disa efektivë që dëshirojnë të mbeten në kushtet e anonimatit, i thanë Top-Channel se janë detyruar të blejnë vetë uniformat verore. Po ashtu edhe këpucët për uniformën verore, për të cilat është zhvilluar një tender tjetër, me vlerë rreth 57 milionë lekë, ende nuk i janë dorëzuar efektivëve të Policisë së Shtetit.

Tenderat për uniformat e policisë kanë qenë gjithnjë problematikë. Në 2016-ën Policia e Shtetit ndërpreu kontratën me një kompani për prodhime të dobëta dhe e kallëzoi penalisht ndërsa në 2017-ën u anulua një tjetër tender me vlerë 1.2 miliardë lekë./TCH

Login to post comments