Në Resulaj të Vlorës u regjistrua pasditen e së premtes një ndër ngjarjet më të rënda në dy dekadat e fundit. Një person ka ekzekutuar në gjakftohtësi 8 persona, anëtarë të dy familjeve Zykaj, me banim në po të njëjtin fshat.
Top Channel mëson ekskluzivisht emrat e viktimave të 24-vjeçarit. Ata janë Azem Zyka, Afërdita Zyka, Demir Zyka, Ferie Zyka, Besim Zyka, Vasilika Zyka, Sara Zyka dhe Ledjon Zyka.
Gazetarja e kronikës në Top Channel, Anila Hoxha bën të ditur se masakra ka ardhur si pasojë e një konflikti për pronat. Autori 24-vjeçar nuk njihet si i sëmurë mendor, por përdorues droge. Sipas burimeve të Prokurorisë, në hetimet për këtë ngjarje të rëndë do të përfshihen edhe Krimet e Rënda në Tiranë, ndërkohë që momentalisht janë marrë në pyetje prindërit e vrasësit.
Autori 24-vjeçar Ridvan Zykaj u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa po kërkohet nga forca të shumta policie të Drejtorisë së Policisë së Vlorës.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodhen po në këtë qark kanë dalë në aksion për kapjen e tij, pasi konsiderohet tejet i rrezikshëm dhe i armatosur.
Ndërkohë që edhe forca të tjera shtesë nga Tirana janë nisur drejt Vlorës. Reparti RENEA është vënë menjëherë në lëvizje. Të gjitha fshatrat rreth e rrotull Resulajt, i Njësisë Administrative Vllahinë, janë rrethuar nga uniformat blu për gjetjen në kohë të shpejtë të Ridvan Zykajt.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, i cili konfirmoi edhe zyrtarisht për Policinë e Shtetit se, nga këqyrja e vendit të ngjarjes numërohen 8 viktima, të afërm me njëri-tjetrin.
Policia ende nuk ka një motiv të qartë të ngjarjes, se përse është shkaktuar. Në asnjë ngjarje tjetër të rëndë kriminale në Shqipërinë e pas viteve ’90, një autor i vetëm nuk ka shkaktuar këtë numër të lartë viktimash.