1 milionë shqiptarë mbi 25 vjeç nuk kanë lexuar asnjë libër vitin e kaluar

Tuesday, 21 August 2018 09:26

Të lexuarit e një libri po shuhet pak e pak sidomos edhe për shkak të ndikimit të teknologjisë, internetit, por edhe rrethanave të tjera që lidhen me nivelin e arsimimit dhe gjendjen ekonomike.

Sipas të dhënave të INSTAT, të evidentuara në një anketë të posaçme shihet se vitin e kaluar mbi 1 milionë shqiptar nuk kanë arritur të lexojnë asnjë libër. Teksa pjesa tjetër mësohet se ka lexuar shumë pak. Rreth 320 mijë shqiptarë të moshës mbi 25 vjeç raportuan se nuk kanë lexuar më pak se 5 libra vitin e kaluar. Teksa pjesa e tyre që kanë lexuar më shumë se kaq sa vjen e zvogëlohet.

Rreth 102 mijë shqiptarët raportojnë se kanë lexuar 5-10 libra gjatë vitit të kaluar, ndërsa rreth 44 mijë shqiptarë kanë lexuar më shumë se 10 libra gjatë vitit të kaluar. Gjithashtu leximi i gazetave vijon të jetë i kufizuar. Vetëm 583 mijë raportuan se lexojnë gazeta çdo ditë, duke përfshirë edhe leximet online. Ndërsa një pjesë e madhe e shqiptarëve, 213 mijë raportuan se lexojnë lajme njëherë në muaj dhe më rrallë se kaq lexojnë 127 mijë shqiptarë.

Lexojnë më shumë ata me arsim të mesëm dhe të lart

Rënia e numrit të shqiptarëve që lexojnë konfirmohet edhe nga tregues të tjerë. Sipas të dhënave statistikore të kulturës nga INSTAT, numri i frekuentimeve në bibliotekën më të rëndësishme në vend pothuajse është përgjysmuar gjatë vitit 2017. Numri i frekuentimeve në Bibliotekën Kombëtare zbriti në 88 mijë, nga mbi 150 mijë që kishte qenë në vitin 2016. Ndërsa Eurostat raporton se në BE, banorët shpenzojnë mesatarisht 200 euro për frymë për libra, ndërsa rreth 20 % e popullsisë janë lexues të rregullt të librave.

Në vendet perëndimore, rënia do të ishte tregues i sjelljes elektronike, që do të thotë se priren që të lexojnë në web më tepër se sa libra fizik, pra e-libra. Por, në rastin shqiptar e-libri nuk është shumë i pranishëm sepse, sipas përfaqësuesve të shtëpive kryesore, pirateria dhe aksesi i pakët në faqe si Amazon, janë penguesit kryesorë.

Në vitin 2016, Eurostat përllogarit se të gjitha familjet në Bashkimin Europian (BE) shpenzuan 90 miliardë euro ose 1.1% të shpenzimeve totale të tyre të konsumit në libra, gazeta dhe shkrimi. Kjo përfaqëson 0.6% të GDP-së së BE-së ose rreth 200 euro për banor të BE-së. Nga ana tjetër, shpenzimet e familjeve për këto objekte ishin më pak se gjysma e shpenzimeve të tyre në shërbimet rekreative dhe kulturore. Shpenzimet për libra, gazeta janë në rënie. Në vitin 1995, 1.8% e shpenzimeve totale të konsumit të familjeve në BE ishte e përkushtuar ndaj këtyre artikujve.

librat

Login to post comments