Sipërmarrjet në kryeqytet, dominojnë marketet dhe lokalet

Tuesday, 21 August 2018 14:33

Në fund të gjysmës së parë të vitit, në kryeqytet rezultuan 112,410 biznese aktive, nga të cilat 4,674 të regjistruara si të reja.

Këto 112 mijë sipërmarrje mund të quhen edhe shtylla e sipërmarrjes në Shqipëri, duke qenë se Tirana si qark përbën mbi 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

Bazuar mbi të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, SCAN ka bërë një hartë të bizneseve sipas llojit të aktivitetit ekonomik që ato ushtrojnë.

Kështu, tregtia duket se zë peshën më të madhe, me rreth 43 mijë biznese të shitjes me pakicë dhe rreth 13 mijë biznese të shitjes me shumicë.

Nga këto, pikat e shitjes me pakicë, pra market, supermarketet, etj., janë të shtrira kryesisht në zonën urbane të qytetit, ashtu si edhe qendrat e shitjes me shumicë. Por tek këto të fundit vihet re edhe një përqendrim i konsiderueshëm në zonën industriale në Kashar pranë autostradës, çka lidhet me subjektet që tregtojnë gjithçka nga pllakat, tek mobiljet, elektroniket, etj.

Pas tregtisë, lloji i biznese që dominon janë njësitë e shërbimit, pra lokalet, hotelet, restorantet dhe subjektet që shesin shërbime të ndryshme. Në total numërohen rreth 34 mijë sipërmarrje që bëjnë pjesë në këtë kategori. Sa i përket zonave ku këto ushtrojnë aktivitetin, është sërish qyteti që mban numrin më të madh. Ndërkohë, me përjashtim të disa njësive administrative të Tiranës, si Kashari, Dajti dhe Farka, pjesa tjetër regjistron një numër të kufizuar të këtyre sipërmarrjeve.

Sipas aktivitetit ekonomik ndjekin profesionet e lira me rreth 5,500 subjekte të regjistruara. Këtu ndarja mes zonave urbane dhe rurale është më e theksuar, pasi pothuajse të gjithë avokatët, noterët, dentistët, inxhinierët, arkitektët, etj. e kanë zyrën e tyre brenda zonës së ish-11 njësive administrative.

Ndërkohë, njësitë e prodhimit përbëjnë vetëm 4% të totalit të sipërmarrjeve, me vetëm 4,500 biznese të regjistruara në Tiranë. Mbi 1 në 10 nga këto subjekte të industrisë përpunuese, tekstile, etj. janë të vendosura në zonën industriale të Kasharit, për shkak të lehtësive të transportit.

Lista mbyllet me shoqatat e fondacionet (rreth 3800 subjekte), subjektet që veprojnë në fushën e transportit (taksitë, autobusët, etj. me rreth 5 mijë njësi), subjektet e ndërtimit (rreth 3700) dhe shitësit ambulant (vetëm 131 të tillë). /Scan

Login to post comments