Zhduken prej 5 ditësh daja dhe nipi në Shkodër, dyshohet se janë rrëmbyer

Tuesday, 28 August 2018 22:23

Dy burra, dajë e nip nga Shkodra janë zhdukur prej 5 ditësh dhe prej tyre nuk ka asnjë gjurmë. Ata janë Agron Mollaj, 47 vjeç nga fshati Dobraç dhe daja i tij Gëzim Hysaj, 56 vjeç, nga fshati Myselim i Postribës.

Kanë qenë dy bashkëshortet e tyre që kanë denoncuar më 24 gusht në policinë e Shkodrës se burrat janë larguar nga banesa më 23 gusht dhe nuk janë kthyer më.

“Më datë 24.8.2018 ora 12:00, shtetasja Merita Mollaj, e datëlindjes 29.02.1980, banuese në fshatin Dobraç, Bashkia Shkodër, me arsim 8 klasë, ka bërë kallëzim se më datë 23.08.2018, rreth orës 21:15 i është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer bashkëshorti i saj, Agron Cuf Mollaj, i datëlindjes 11.09.1971, me arsim 8 klasë. U bë shpallja në kërkim policor. Punohet për gjetjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër”, thuhet në denoncimin e regjistruar për Agron Mollajn.

Katër orë më pas ka qenë bashkëshortja e Gëzim Hysajt që ka denoncuar edhe ajo zhdukjen e 56-vjeçarit.

“Më datë 24.08.2018 ora 16:00, shtetasja Saimira Hysaj, e datëlindjes 02.10.1973, banuese në fshatin Myselim, Postrribë Bashkia Shkodër, me arsim 8 klasë, ka bërë kallëzim se më datë 23.08.2018, rreth orës 20:20, i është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer bashkëshorti i saj Gëzim Taip Hysaj, i datëlindjes 08.05.1962, me arsim 12 klasë. U bë shpallja në kërkim policor. Punohet për gjetjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër”, thotë më tek komunikata e brendshme e policisë së Shkodrës.

Ndërkaq njoftimin e ka bërë edhe Policia e Shtetit në faqen e saj, duke u mjaftuar vetëm me inicialet e dy personave të zhdukur dhe duke e cilësuar si ‘largim nga banesa’.

Ndonëse në asnjë prej komunikatave nuk ngrihen dyshime për zhdukjen e papritur të dy burrave, burime konfidenciale pohojnë se dyshohet se kemi të bëjmë me një pengmarrje. Këtij dyshimi i shtohet fakti që tashmë janë bërë 5 ditë nga zhdukja e dy burrave. Për më tepër ka dyshime se zhdukja e tyre ka lidhje me ngjarjet e fundit në Shkodër.

DENONCIMI I BERISHËS

Po sot në mbrëmje, ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar mesazhin e qytetarit dixhital dhe thotë se kemi të bëjmë me një pengmarrje, duke akuzuar policinë se fsheh ngjarjen.

STATUSI

Narkopolicia fsheh pengmarrjen!

Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital. sb

“Përshëndetje Doktor

Në Shkodër dy persona janë marrë peng tash 1 javë dhe policia e Xhafës e mbajnë të fshehtë, personat e mbajtur peng që nuk dihet asnjë lajm për to janë Gon Molla dhe daja i tij Gëzim Hysaj. Të lutem anonim”

Login to post comments