Agjencia shtetërore e lajmeve në Itali, “Ansa”, i këshillon italianëve që të vizitojnë Shqipërinë, duke e klasifikuar vendin tonë si një ndër 5 destinacionet më të mira globale për t`u vizituar edhe gjatë Shtatorit.
“Nga disa, Shqipëria konsiderohet si Kroacia e re, dhe ky është një krahasim jo i ekzagjeruar, pasi Shqipëria është e pasur me histori, kulturë, plazhe fantastike dhe një natyre luksi”, kështu e nis Ansa përshkrimin e Shqipërisë.
“Shtatori është periudha ideale për ta vizituar, pasi mund të vizitohen 460 kilometra vijë bregdetare pa mbipopullimin e verës dhe me një klimë të freskët mesdhetare”, vijon më tej shkrimi.
Ndër të tjera, agjencia shtetërore e lajmeve në Itali sqaron se, në Shqipëri ke mundësi të zgjedhësh, duke filluar që nga plazhi, nga Velipoja në Ksamil ka tipologji të ndryshme.
Vendet e tjera të këshilluara janë Buenos Aires, Korfuzi, Zanzibari dhe Marakeshi në Marok. Gjatë viteve të fundit, e sidomos gjatë këtij viti, turistët italianë në vendin tonë janë rritur ndjeshëm, dhe shifrat e vërtetojnë më së miri këtë tendencë të re.
Një ndikim të madh në këtë preferencë të re të italianëve kanë dhënë padiskutim edhe mediat, që kanë promovuar masivisht turizmin shqiptar.