Të gjitha strukturat që sigurojnë një turizëm të sukseshëm, do të jenë në gatishmëri edhe gjatë muajit shtator. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, nga pika kufitare e Morinës siguroi se as muajin tjetër nuk do të mungojnë siguria, pastërtia dhe shërbimet cilësore për turistët, numri i të cilëve ka qenë në rritje.
“Ajo çfarë kemi kontaktuar me të gjthë turistët gjatë ditës së sotme është një dëshirë e tyre për të kaluar deri në mesin apo fundin e shtatorit pushimet në Velipojë Shëngjin, Durrës dhe më tej në zonën e jugut dhe për të gjitha këto ne do të vazhdojmë të mbajmë strukturat tona në gatishmëri që sezoni turistik edhe gjatë muajit shtator të jetë me të njëjtat parametra, me siguri maksimale, pastërti maksimale dhe po ashtu me shërbime sa më të kontrolluara dhe cilësore për turistët kosovarë”, tha Klosi.
Në takimin me policët kosovarë, ministri Klosi u informua për rritjen e numrit të pushuesve gjatë këtij muaji dhe pritshmëritë më të mëdha të shtatorit.
Ministri Klosi gjithashtu garantoi se projekti “SmileAlbania” është në gatishmëri për të mirëpritur të gjithë pushuesit që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar.